Pronari i një hoteli në zonën e Golemit, ka qenë dëshmitar i skenës së dhunës së Fadil Kasemit ndaj ish-bashkëshortes së tij, Fildes Hafizi, në korrik 2015. Pasi ishte sulmuar nga tregtari 53-vjeçar, gjyqtarja i kishte marrë atij çantën ku kishte armën dhe kishte shkuar në hotel me shenja dhune në fytyrë, shkruan “Panorama”.

Ajo ka kontaktuar me pronarin, shtetasin Saimir Gj., i cili më pas ka dëshmuar se ka konstatuar te kjo shtetase se kishte shenja dhune në fytyrë dhe po bërtiste: “Po më vret, po më vret”.

Pronari i hotelit ka dëshmuar gjithashtu se gruaja e dhunuar i ka kërkuar ndihmë, si dhe të njoftonte policinë. Policia ka mbërritur shumë shpejt e shtetasja Fildes Hafizi i ka dorëzuar çantën, të cilën e kishte pasur i pandehuri Fadili Kasemi.

DËSHMIA E DJALIT
Në procesin gjyqësor të zhvilluar në Kavajë, në prill 2016, është administruar edhe dëshmia e djalit të gjyqtares. Ai ka thënë se ka parë një armë në çantën e babait gjatë përleshjes së tij me Fildes Hafizin në plazh.

Më konkretisht, në vendimin e Gjykatës që e dënoi me 3 vjet burg Fadil Kasemin, theksohet se në datë 19.07.2015, rreth orës 16:00, Fildes Hafizi, së bashku me djalin e saj, Arlind Kasemi, ka dalë nga dhoma që kishte marrë me qira në plazhin e Golemit për të shkuar te shezlongët në anë të detit, kur ka parë se drejt tyre po afrohej ish-bashkëshorti i saj, i pandehuri Fadil Kasemi, i cili, kur ka konstatuar se Fildesi e ka parë, është afruar me vrap pa i lënë mundësi asaj që të largohet apo të fshihet.

“Sapo e ka arritur, Fadili ka tentuar të hapte një çantë (marsupio) dhe të nxjerrë diçka prej saj. Fildesi, duke dyshuar se ai donte të nxirrte armë, i është drejtuar duke iu lutur që të mos i linte fëmijët jetimë, si dhe ka tentuar t’i marrë çantën. Fadili ka reaguar duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë. Ata janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin e aty fillimisht ka ndërhyrë djali i tyre A., i cili ka parë të atin të hapë çantën e të tentoje të nxjerrë prej andej një send, që ai e ka identifikuar pistoletë, por që nuk e ka nxjerrë atë”.

DËSHMIA E AUTORIT
Fadil Kasemi gjatë hetimit ka pretenduar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe nuk i perceptonte drejt gjërat që kanë ndodhur në plazhin e Golemit, por ka thënë se arma dhe çanta nuk janë të tijat.

“Në lidhje me çantën, ka pretenduar se ajo i përkiste një personi që nuk e njihte dhe që e kishte provokuar duke iu ulur në tavolinë, si dhe që i kishte marrë çelësat e veturës dhe i kishte futur në çantë. Vetura tip ‘BMW’, çelësat e së cilës u gjetën e u sekuestruan në çantën ku ishte pistoleta, i përket të pandehurit Fadil Kasemi, i cili e kishte blerë pa bërë dokumentet përkatëse, pasi e kishte në provë për disa ditë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Sipas tij, nga këqyrja trupore e shtetases Fildes Hafizi konstatohet në fytyrë shenja dhune fizike në të. Sipas aktit të dëshmisë mjekoligjore nr. 48, datë 20.07.2015, të ekspertit mjekoligjor Gjergji Syko, ka rezultuar se në trupin e shtetases Fildes Hafizi janë konstatuar shembje të indeve të buta të fytyrës dhe të trupit, ënjtje të indeve të buta të mollëzës së djathtë, ekimoze brenda gojës, luxation i dhëmbit të katërt lart djathtas, ënjtje të indeve të buta të kokës, ënjtje të indit të gishtit të katërt të dorës së djathtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb