VLORË- Është lançuar sot në Vlorë nisja e procesit të “Popullimit”, regjistrimi i popullsisë atje ku banon dhe kjo të bëhet edhe nga 1200 të rinj që do të shkojnë derë me derë për të marrë informacione dhe në bashkëpunim me institucionet vendore.

Ky regjistrim vjen pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në vend, ndërsa ministri Tahiri theksoi se me këtë regjistrim qytetarëve iu sigurohet e drejta e zgjedhjes. Duke sjellë një shembull ministri tha se nuk do të ketë më qytetarë që jetojnë në Vlorë dhe gjendjen civile e kanë në Himarë.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri fillimisht ka folur për punën e bërë nga qeveria dhe reformat si ajo e energjisë e më pas për procesin e popullimit që do të japë një pasqyrë të qartë të qytetarëve që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë vendit.

“Popullimi është një ndër reformat më të rëndësishme. Në qoftë se e nisëm me barazinë para ligjit për qytetarët, sot duhet të vazhdojmë me identifikimin dhe popullimin e çdo qytetari dhe banese në Republikën e Shqipërisë. Sot, ndoshta jemi vendi i vetëm në rajon, në Europë po e po, që pyetjes: Sa shqiptarë jemi në Shqipëri i përgjigjemi më përafërsi, afërsisht 3 milionë. Kurrkush nuk ka një përgjigje të saktë. Ndoshta jemi i vetmi vend në rajon, në Europë po e po, që nuk kemi një pasqyrë të saktë të: Sa jemi dhe ku jetojmë? Kjo është për shkak të lëvizjes demografike intensive. Edhe në Vlorë shumë qytetarë kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën e tyre në qytetin e Vlorës, kur ndërkohë në regjistrat e shtetit figurojnë banues në një vend tjetër”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, kjo gjë pamundëson shërbimet e shtetit ndaj qytetarëve, ndaj tha ai duhet të fillojmë nga A-ja.
“Kjo mbi të gjitha, përveç faktit që pamundëson shtetin të japë shërbime, të vëmë kapacitetin e institucioneve t’i gjenden qytetarit kur ai ka nevojë. Duhet të fillojmë nga A-ja, të bëjmë në mënyrë definitive përfundimtare kush banon ku. Kjo është mënyra më e mirë për t’u shërbyer qytetarëve. Ndaj Ministria e Punëve të Brendshme ka ideuar dhe po implementon me Ministrinë e Energjetikës, “Popullimin”. Sepse na duhet të shkojmë derë më derë për të marrë të gjithë informacionin e domosdoshëm nga qytetarët lidhur me adresën dhe jo vetëm. Ky është një proces shumë i vështirë, ku mbi të gjitha është një proces historikisht i përsëritur në Shqipëri. Rreziku më i madh është ai që kemi kaluar në të shkuarën, ashtu siç një rrezik jo i vogël është nëse përsërisim gabimet e së shkuarës”, tha ministri i Brendshëm.

Në këtë pikëpamje kontributi i çdo institucioni përfshirë pushtetin vendor mbi të gjitha, zyrat e urbanistikës mbi të gjitha dhe pastaj çdo institucion tjetër është më shumë sesa themelor, tha ministri.

“Në kuriozitetin tuaj ne në letër jemi 4.5 milion shqiptarë, mbi 4.5 milion shqiptar. Por në Shqipëri ne nuk jemi kaq brenda kufijve. Sepse realiteti në letër, Shqipëria në letër nuk është Shqipëria në realitet. Sepse Shqipëria në regjistra nuk është Shqipëria e përditshme që njohim ne”, tha ai.
Për këtë arsye Tahiri njoftoi nisjen e fushatës për regjistrimin e banorëve. Procesi nis me rekrutimin e 1200 të rinjve që do të bëjnë regjistrimin derë më derë.

“Ndaj ne na duhet të nisim shumë shpejt pas një periudhe intensive përgatitore, një fushatë trokitjesh derë më derë dhe është kjo arsyeja që brenda 10 ditëve ne do të përfundojmë procesin e rekrutimit të 1200 të rinjve të cilët në çdo cep të Shqipërisë do trokasin derë më derë dhe do bëjnë regjistrimin e çdo banese duke populluar nga njëra anë regjistrin civil dhe duke bashkuar regjistrin civil me atë të banesave, të adresave. Dhe në fund të këtij procesi ne do të kemi përtej çdo pritshmërie më në fund një regjistër unik ku qytetarët të identifikohen me një banesë dhe ku regjistri të jetë i plotë i populluar pa mangësi dhe transparent, duke i mundësuar të gjitha institucioneve dhënien e shërbimeve përball qytetarit”, tha ai më tej.

Sipas Tahirit, ky është procesi më i rëndësishëm për të pasur më në fund një pasqyrë të denjë dhe reale në fund të së cilës do kemi një Shqipëri si në letër ashtu edhe në realitet.

“Është shumë e sigurt që një nga shërbimet kryesore është e drejta për të zgjedhur, e garantimit e të drejtës për të zgjedhur. Zgjedhjet janë diçka një vit më pas, dhe ju e dini shumë mirë, veçanërisht përfaqësuesit e pushtetit vendor. E dini shumë mirë pamundësinë reale, dhe pamundësinë objektive të shumë qytetarëve për të mos votuar, sepse nuk kanë ende një qendër ku banojnë. Këta të ashtuquajtur me kodin 999, apo 888, apo 000 në listat zgjedhore, janë ata qytetarë që objektivisht i kemi ndaluar mundësinë që të votojnë, për shkak se nuk kemi bërë përputhjen e regjistrit të Gjendjes Civile me adresën. Pra për shkak se një qytetar banon në Vlorë, pavarësisht se gjendjen civile e ka të regjistruar në Himarë. Kjo nuk mund të ndodhë më, kjo nuk mund të vazhdojë më. Dhe përfitimi kryesor i këtij procesi është të garantojë që të gjithë të kenë objektivisht dhe të gëzojnë realisht të drejtën për të zgjedhur”, theksoi ministri.

Tahiri deklaroi se 1.200 të rinj që do të rekrutohen, duhet të plotësojnë një sërë kriteresh profesionale dhe mbi të gjitha të integritetit për ta bërë këtë proces në mënyrë sa më korrekte, sa më transparente duke hequr çdo mundësi që edhe nëpërmjet teknologjisë që procesi të mos zhvillohet në kohë apo të mos jetë i saktë.

“Ky sigurisht do të ishte gur i themelit për një shtet modern dhe do të ishte pikënisja për një shtet modern. Të dish sa jemi dhe ku banojmë. Do të ishte A-ja e funksionimit të shtetit dhe premisa e duhur për t’i shërbyer siç duhet qytetarit. Dhe duhet të fillojmë brenda 15 nëntorit regjistrimin në çdo cep të Shqipërisë. Dhe brenda 15 nëntorit kemi gati kuadrin e profesionistëve që do shkojnë të intervistojnë çdo qytetar në çdo shtëpi në çdo cep të Shqipërisë. Pra është shumë e domosdoshme që njësitë vendore dhe çdo funksionar publik, nga sot e tutje t’i dedikohet në mënyrë serioze këtij procesi”, tha Tahiri.

Në aktivitet morën pjesë veç të zgjedhurve vendorë të këtij qarku, edhe ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri, Drejtori i OSHEE Ardian Çela, Prefektja e Vlorës Etjona Hoxha dhe zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb