TIRANE- Me tone të ashpra dhe bindëse, ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri iu kundërpërgjigj të gjithë kritikëve të qeverisë.

Pa përmendur emra konkrete, Tahiri la të nënkuptuar dhe disa mesazhe që ia adresoi aleatit në qeverisje, LSI, ndërsa shtoi se për ca vota më shumë dalin në lajme dhe shajnë. Gjatë një takimi me banorët e Paskuqanit, Tahiri pohoi se pavarësisht këtyre tentativave, qeveria do punojë më shumë.

“Në 18 qershor do ketë zgjedhje, duhet të shkojmë në zgjedhje të gjithë bashkë. Në fakt në 18 qershor vendosni ju, vendosin qytetarët dhe bëni gabim të mendoni se qeverisja e ardhshme vendoset në korridoret e qeverisë së madhe. Politika e televizorit del herë me sharje, herë me llum, por qeverisja e ardhshme përcaktohet këtu, në çdo familje. Në çdo rrugë të Paskuqanit, Babrrusë, në çdo shtëpi. Qeverinë e ardhshme e keni ju në dorë, dhe jo në korridoret e politikës. Duhet të shash qeverinë që të dalësh në lajme, që të bësh lajm, që të mbledhësh ca vota më shumë. Sa më shumë sulmojnë aq më shumë duan të na tërheqin në vorbullën e sherrit, t’i thonë se ‘ja ku jemi të gjithë njësojë, dhe ndaj s’ka rëndësi se ku e çojmë votën’. Sa më shumë sulmojmë ata, aq më shumë me qytetarët duhet të flasim, aq më shumë duhet të bëjmë, aq më fortë duhet të luftojmë të gjithë bashkë. Përgjigja jonë është puna, për çdo sulm, për çdo akuzë, për çdo baltë që hedhin ndaj nesh. Ne jemi të vetëdijshëm që do na gjykojnë për punën, jo për llafet.”, tha Tahiri.

Tahiri u shpreh ndër të tjera se ata duan më shumë gjyqtarët e korruptuar sesa qytetarët e ndershëm. Ai bëri thirrje që qytetarët të votojnë në 18 qershor për alternativen më të mirë që ofron punë dhe paga më të mira.

“Ca duan çadër në pushet, ca duan tavolinë, askush nuk do përgjegjësi për punë. Në 18 qershor ju do vendosni, shqiptarët do vendosin dhe do votojnë. Ne që duam legalizimin e çdo shtëpie, apo ata që duan legalizimin e përjetshëm të pushtetit. Ne që duam një shtet më të fortë apo ata që duan ta vendosin shtetin brenda partisë. Mos harroni kurrë Shqipërinë që morëm 3 vite më parë me njerëz të varfëruar dhe të rrënuar, të pashpresë. Zgjidhja për çdo problem ishte miku dhe leku dhe jo merita. Shikoni çfarë ndodh me drejtësinë dhe me gjyqtarët që marrin lekë. Është kjo arsyeja se ata duan gjyqtarët e korruptuar më shumë se qytetarët e ndershëm. Ata duan kaos dhe rrëmujë më shumë se sa ligjin. Është kjo arsyeja pse ata duan pushtetin dhe jo qytetarin. Kanë mbetur 75 ditë deri në 18 qershor. Ne mund të zgjedhim për të çuar tek kutia e votimit për paga më të mira, që duan certifikata pronësie, që duan punë dhe nuk pranojnë varfërinë. Të bëhemi bashkë për të qeverisur bashkë për Shqipërinë e çdo shqiptari. Kjo është në duart tuaja dhe ne jemi të bindur se siç kemi bërë punë deri më sot, ashtu do bëjmë edhe nesër. Do qeverisim bashkë për Shqipërinë që duam”- tha Tahiri.
(ed.me/d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb