BERAT– Nga Berati ku mblodhi këtë të premte qeverinë, kryeministri Rama mbrojti skemën e ndihmës ekonomike, duke u shprehur se një pjesë e atyre që janë larguar nga skema, janë persona që refuzojnë të punojnë.

“70 për qind e atyre që kanë pretenduar të përfshihen dhe nuk janë përfshirë në skemë janë të moshës 24-45 vjeç dhe plotësisht të aftë për punë. Unë nuk mund ta pranoj që fabrika të rrezikojnë të falimentojnë për shkak se nuk shkon njeri të punojë dhe nga ana tjetër, ata që janë të aftë për punë të kërkojnë ndihmë ekonomike ndërkohë që u ofrohet punë”, deklaroi Kryeministri.

Por, mes atyre që kanë mbetur jashtë, Rama pranoi se mund të ketë edhe familje vërtet në nevojë.
“Jemi në proces verifikimi dhe rivlerësimi. Ka raste që nuk përputhet rezultati i skemës me familje në nevojë dhe do të gjendet rruga për t’i përfshirë këto familje në këtë skemë”, vijoi ai.

Sipas kryeministrit, skema e ndihmës ekonomike po përdoret politikisht nga opozita. “Në këtë fazë do të shikoni përditë histori manipulimi me këto raste”, u shpreh ai.

Por fill pas këtyre deklaratave, ka reaguar kryedemokrati Basha. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai thotë se realiteti flet ndryshe nga ato çka thotë kryeministri Rama.

“A ka njeri që e beson mashtrimin e Ramës sot nga Berati se njerëzit preferojnë të marrin 50 mijë lekë ndihmë ekonomike në vend që të punësohen me rroga 400 mijë lekëshe???

Realiteti flet vetë me gojën e këtyre banorëve të Beratit, aty ku banda qeveritare po harxhon sot e nesër miliona lekë për ekskursionin e fundjavës, por asnjë kacidhe për njerëzit në nevojë ekstreme”, shkruan kryedemokrati Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb