“Telenovela” e trajnerit të ri të Kukësit vazhdon ende, por me sa duket kanë ngelur edhe pak seri dhe pritet fundi i saj. Lista e trajnerit të ri ka qenë shumë e gjatë në tavolinën e presidenti Safet Gjici, madje në fillim kontaktet e tij ishin me trajnerë shqiptarë por më pas lindi edhe dëshira tjetër për të, që në stolin e Kukësit të emëronte një trajner të huaj, por së fundmi ka rënë dhe kjo pistë. Burime për “BalkanWeb” pranë klubit të Kukësit bëjnë me dije se tashmë një trajner shqiptar është shumë pranë firmës me klubin verilindor, nga ku bëhet fjalë për Klodian Duron.

Madje, burimet thonë se zyrtarizimi i marrëveshjes është shumë pranë, por me Gjicin në krye të marrëveshjes ekziston edhe frika që mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër të minutës së fundit, që mund të prishë marrëveshjen (Edhe Artan Mërgjyshi ishte në kontakte me klubin por nuk u arrit marrëveshja). Kujtojmë që Klodian Duro ka qenë edhe më parë trajner i Kukësit, madje ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë.

Gjithsesi, palët janë drejt finalizimit, bisedimet e drejtuesve të Kukësit me Klodian Duron vazhdojnë, madje Duro është edhe i preferuari i tifozerisë kuksiane. Në ditët në vijim pritet vetëm njoftimi i zyrtar i klubit me emrin e trajneri të ri.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb