Teuta është treguar e “pamëshirshme” sot teksa ka mundur për llogari të javës së 32 të Superligës Korabin me rezultatin e thellë 0-4. Durrsakët për të marrë tri pikët ndaj dibranëve që matematikisht kanë siguruar rënien nga kategoria, mposhtën 4 herë portierin Prençi.
magani
I pari që gjeti rrjetën ishte Papa në minutën e 19-të dhe më pas Magani në të 40-ën. Kaq sa i takon pjesës së parë pasi në të dytën radhën për të shënuar do e kishin Progni dhe Çyrbja respektivisht në të 49-n dhe 64-n minutë.

Me fitoren e sotme Teuta renditet në vendin e 6-të me 36 pikë, 6 më shumë se vendi i 9-të që bie nga kategoria.
vucaj-470x271
Në takimin tjetër të orës 16:00, Laçi ka marrë një fitore në ekstrem duke përmbysur Luftëtarin me rezultatin 2-1. Kurbinasit me këtë fitore ndezin në maksimum garën për “zonën e ftohtë” të rënies nga kategoria.

Të parët kaluan në avantazh ishin miqtë me anë të Albano Aleksit në minutën e 19-të, por avantazhi zgjati pak pasi Qaqi do barazonte shifrat në minutën e 35-të. Kur dukej se gjithçka po shkonte drejt një barazimi, në përfundim të lojës së rregullt, ekzaktësisht në minutën e 91 Serxho gëzon kurbinasit të cilët marrin një trepikësh me mjaft vlerë duke qenë 1 lojtar më pak në fushën e lojës.

Laçi pas javës së 32 në Superligë, renditet i 8-i me 32 pikë, po aq sa Flamurtari i vendit të 9 dhe Tirana e vendit të 7-ë të cilët përballen me njëra-tjetrën në orën 19:00. Ndërsa Luftëtari me këtë humbje, humbet terren në luftën për vendin e katërt që me gjasë të dërgon në Kupat e Europës. Gjirokastritët janë në kuotën e 39 pikëve, 1 më shumë se Vllaznia e cila gjithashtu luan ndaj Skënderbeut në orën 19:00.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb