KOSOVË- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin është i qartë. “Themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është i lejueshëm nëse themelohet në përputhje me frymën e Kushtetutës”.

Thaçi më tej ka thënë se Republika e Kosovës nuk mbrohet duke ushtruar dhunë. “Gjatë asaj dite kemi pasur veprime që nuk kanë përkuar me rendin demokratik dhe protestat paqësore. Ky është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”.

“Nuk mbrohet Republika me dhunë, as me molotov e as duke u armiqësuar me Amerikën, BE-në, NATO-n e Shqipërinë”. Ai ka deklaruar se “është momenti që të ulemi e të përpilojmë agjenda që i shërbejnë për të mirë vendit”.

“Mund të kemi mospajtime, por jo të reagojmë me dhunë”. Thaçi ka thënë se situata e krijuar me 9 janar nuk i është dashur Kosovës. “Të shtunën, më 9 janar, ka ndodhur gjëja që nuk do të duhej të ndodhte. Organizatorët është dashur të respektojnë sjelljen e një proteste paqësore dhe të sillen me përgjegjësi”, është shprehur ai.

Thaçi ka thënë se njerëzit kanë të drejtë që t’i shprehin mendimet dhe revoltat e tyre në mënyrë demokratike, e jo në mënyra të çoroditura.

“Edhe kur protestohet duhet mbrojtur interesi i shtetit, e jo të shkatërrohen pronat publike e private. Ata që protestuan atë ditë, nuk besoj se pajtohen me djegien e ndërtesës së qeverisë dhe hedhjen e molotovit në drejtim të policisë. Reagimi me molotov ka qenë i papërgjegjshëm, i rrezikshëm dhe është parë se kush e ka gjuajtur sidomos nëpërmjet pamjeve që u transmetuan në media”, ka thnë zv.kryeministri i Kosovës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: