BRITANI- Kryeministrja britanike Theresa May, ka nënshkruar letrën për t’ia dërguar presidentit të BE-së, Donald Tusk, për ta informuar se Mbretëria e Bashkuar kërkon zbatimin e Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, që është forma zyrtare e largimit nga blloku i 28 vendeve anëtare të BE-së, shkruan “Daily Mail”. Aktivizimi formal i Nenit 50 vjen, pas nëntë muajve kur Britania votoi me 52 për qind pro dhe 48 për qind kundër largimit nga BE-ja. Kjo letër pritet të dërgohet në Bruksel nga diplomatë, të cilën ambasadori britanik në BE, Tim Barrow do t’ia dorëzojë Tusk-ut. Pas këtij nënshkrimi të shumëpërfolur, procesi dyvjeçar i Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE-ja pritet të ndodhë më 29 mars të vitit 2019. “Daily Mail” shkruan se kryeministrja britanike Theresa May  nuk kishte shmangur një konfrontim të mëparshëm me Brukselin, me qëllim që të fillojë qetësisht hapjen e negociatave për largim.

(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb