DIBËR- Elsi Kosiqi, babai i tre fëmijëve që u ekzekutua pas mesnatës në derën e shtëpisë në Dibër kishte qëndruar gjatë gjithë ditës së djeshme në Dibër të Madhe në Maqedoni. Burime konfidenciale nga policia, bënë me dije për “BalkanWeb” se 32-vjeçari kishte shkuar mëngjesin e djeshëm në Dibër të Madhe ku kishte qëndruar me disa shqiptarë dhe një shtetas maqedonas gjatë gjithë ditës, deri në mesnatë.

Në orën 1:30 ai është kthyer në banesë, por sapo ka parkuar makinën në derë të shtëpisë është qëlluar me tre plumba nga një person që i ka dhënë dorën dhe më pas i ka drejtuar armën. Nuk dihet nëse ka qenë një prej personave që e shoqëronte vrasësi apo 32-vjeçarit i është zënë pritë sapo është kthyer në banesë. (Foto: në rreth makina e viktimës para banesës)

Ngjarja ka ndodhur brenda oborrit të banesës, ngjitur me verandën e banesës dhe familjarët dyshohet se e kanë parë ngjarjen, megjithëse nuk kanë dhënë shumë informacion për policinë.

Më pas autorët apo autori është larguar me shpejtësi, duke qenë se shtëpia ndodhet vetëm disa metra larg nga rruga nacionale dhe 500 metra nga kufiri me Maqedoninë. Por ajo që mund të çojë në zbardhjen e shpejtë të ngjarjes është një provë e gjetur pranë viktimës.

Burimet thanë për “BalkanWeb” se autorëve iu ka rënë diçka në vendin e ngjarjes, e duke qenë errësirë nuk e kanë parë. Ende është e paqartë se me çfarë arme është qëlluar 32-vjeçari. Jashtë kamerave banorët flasin për një të kaluar të dyshimtë të viktimës. Ndërkohë mësohet se ai ishte pronar i një hoteli 5-katësh tek Llixhat në Peshkopi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb