Kapet në Kroaci anija siriane “Sea stanner”, e cila u ‘arratis’ nga porti i Durrësit me 500 ton kripë, pa marrë leje nga autoritetet portuale. Burime nga porti i Durrësit bënë me dije për gazetaren Klodjana Haxhiaj se anija ndodhet ne radën e jashtme, pesë milje larg portit të Rijekës në Kroaci. Ajo u bllokua menjëherë pas kërkesës së palës shqiptare, ku kjo e fundit njoftoi se anija u largua pa plotësuar dokumentacionin.

Kujtojmë se anija “Sea scaner” me flamur të Sierra Leones kishte sjellë me 26 qershor 6 mijë tonë kripë në Durrës. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë Detare, Paulin Ndreu, pas shkarkimit të sasisë 5500 tonë, drejtuesit e anijes hynë në konflikt me pritësin e mallit, një kompani vendase, e cila nuk pranoi të merrte pjesën e mbetur prej 500 tonë kripë, pasi ajo ka qenë përzier me qymyr.

Anija tregtare ishte nisur nga Egjipti dhe kishte sjelle sasinë e kripës në portin e Durrësit.
(ed.me/BalkanWeb)