Gazetarja Klodiana Haxhiaj ka siguruar për “BalkanWeb” foton e trupit të pajetë që u gjet ditën e sotme pranë Spillesë. Ishin anëtarët e ekuipazhit të një anije peshkimi, ata që kanë parë fillimisht trupin e pajetë në ujë. Viktima e seksit mashkull, i veshur me pantallona jeshile, këmishë me kuadrata dhe një jelek shpëtimi, është gjetur 7 milje larg nga vendi i quajtur Kepi i Selitës, plazhi i “Gjeneralit”.
Sipas burimeve të “BalkanWeb”, viktima duhet të ketë qenë prej ditësh i mbytur, pasi ishte i shpërfytyruar. Policia ka nisur hetimet për identifikimin e viktimës dhe zbulimin e shkaqeve të mbytjes së tij.
Trupi i pajetë është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, për të verifikuar nëse viktima ka shenja dhune. Kujtojmë se një ditë më parë, një tjetër trup i pajetë u gjet nga peshkatarët pranë ishullit të Sazanit.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 13:50 në sipërfaqen e ujit në det në distancë 5-7 milje nga vendi i quajtur Kepi i Selitës, plazhi i “Gjeneralit”, është gjetur një kufomë ende e paidentifikuar.
Kufoma është pikasur nga ekuipazhi i një peshkarexhe “ku ka venë re që kufoma ka qenë mbi ujë”.
Po kryhen veprimet hetimore dhe po punohet për identifikim e kufomës.
(e.f/ BalkanWeb)