TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama në konferencën për 25-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Në një status në “Facebook”, Vasili shkruan se Rama fliste për drejtësinë 24 orë në ditë, edhe kur inauguronte kanale të ujërave të zeza ndërsa sot është në merak se kjo fjalë përdoret vend e pa vend.

Sipas Vasilit, drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj, duke shtuar se nuk kemi nevojë që të përzierët me trafiqe të japin mend apo t’i tregojnë rrugën.

“Kryeministri fliste për drejtësinë dhe kur inauguronte kanalet e ujërave të zeza.
Ky kryeministër me vite të tëra llomotiti 24 orë në ditë për drejtësinë, e përdorte vend e pa vend fjalën drejtësi edhe kur inauguronte kanale të ujërave të zeza e të bardha se mendonte se do vendosej në anën e duhur të gjindjes njerëzore dhe sot qenka bërë shumë merak se fjalën drejtësi të tjerët e përdorin vend e pa vend.
Dhe ia arriti kryeministri të vendosej në anën e drogës, të krimit, të hajdutërisë së votave e të koncesioneve.
Drejtësia që do ky kryeministër dhe të tijtë është përndjekje për kundërshtarët dhe drejtësi të kapur për vete që nuk i trazon dhe nuk ju ua prish hesapet dhe trafiqet.
Ta lëmë drejtësinë sot të bëjë detyrën e saj, nuk kemi nevojë që të përzierët me trafiqe të japin mend apo t’i tregojnë rrugën, pasi më e mira që mund të bëjnë është të heshtin.
Edhe sot u kapën në Itali 1.5 ton drogë me vlerë 15 milionë euro. Të gjithë këta në kryeministri dhe në polici, që çirren se janë në krye të detyrës ç’po bëjnë, apo thjesht po shtrojnë asfaltin e autostradave të drogës”, shkruan Vasili.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: