TIRANË – Grupi parlamentar i PD-së vendos të mos marrë pjesë në seancën e votimit në Kuvend për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Vendimi është marrë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, që është mbledhur pak minuta më parë nën drejtimin e kryetarit të grupit, Edi Paloka.
 
Demokratët argumentuan se atyre duhet t’u vihet në dispozicion një video që disponohet nga prokuroria, ku janë përgjuar gjatë ballafaqimit ndërmjet tyre, deputeti Tom Doshi dhe atentatori Durim Bami. Bëhet fjalë për pjesën ku Doshi tha se “Bami ishte kërcënuar me jetën e fëmijëve për të ndryshuar dëshminë e tij.”
 
Po ashtu, demokratët kanë kërkuar që në Kuvend të lexohet edhe raporti i tyre për vendimin e Këshillit të Mandateve. Mbrëmë u mësua se PD-ja do të dilte sot me një relacion më vete lidhur me vendimin që u mor mbrëmë nga Këshilli i Mandateve për heqjen e imunitetit, dy deputetëve. Kjo, pasi disa nga kërkesat e tyre, si ajo për paraqitjen e provave shtesë të deputetit Tom Doshi, nuk u pranuan dhe u hodhën poshtë nga mazhoranca.
 
Ndërkohë, PD-ja ka disa ditë që ka nisur protesta për dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Metës, pikërisht për akuzat e ngritura ndaj tij nga deputeti Tom Doshi si “porositës i vrasjeve me pagesë”. Kërkesa kryesore e PD-së në të gjitha rastet, ka qënë dorëheqja e Metës për të lejuar hetimin e paanshëm.
 
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: