TIRANË- Kundërshtimi për mënyrën se si do të zgjidhej Kryeprokurorja e Përkohshme tejkaloi çdo limit ditën e djeshme. Salla e Kuvendit u pushtua nga flakadanët e tymueset, duke na sjellë në mendje skena të ngjashme si ato të Kuvendit të Kosovës.

E ndërsa gjithë ky irritim opozitar, që u pasua edhe me përleshje fizike me gardistët, nuk lidhej veçanërisht me emrin e kryeprokurores së re Arta Markut, por me mënyrën që mazhoranca vendosi ta zgjedhë, kjo e fundit mes kaosit, rrëmujës mundi të thotë vetëm një fjalën: “Betohem”.

Por sot një ditë më vonë, kur edhe ka marrë në dorëzim çelësat e zyrës nga Adriatik Llalla, zonja Marku është shfaqur në aktivitetin e parë publik në Kryesinë e Kuvendit, teksa diskutohej për Institucionet e Pavarura.

E pyetur nga gazetarja e News 24, Elda Menga se si e komentonte votimin e djeshëm dhe situatën e krijuar nga opozita, zonja Marku tha se nuk kishte një koment. “Kur ta kem një koment do t’ju njoftoj”,- u shpreh ajo shkurt, siç mëson “BalkanWeb”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb