Familjaret e Vasil Laçit, një nga 4 protestuesve të “Rrugës së Kombit” që mbeti në burg nga gjykata e Apelit të Shkodrës nuk pajtohen me vendimin. Fëmijët, bashkëshortja dhe familja prisnin që ai të lirohej, por mbetën të zhgënjyer. Nëna dhe vëllai i Vasilit kërkojnë lirinë e cilësojnë të padrejtë gjithçka ndodhi.

“Gjykimi ka qenë jo i pastër dhe i rregullt. Të gjithë personat duhej të ishin liruar. Unë i bëj thirrje qeverisë t’i lirojë sa më shpejt. Janë brenda padrejtësisht”, u shpreh vëllai i Vasil Laçit.
“Vendimi ka qenë si një bombë për ne. Në protestë nuk kanë qenë vetëm 4, ishin dhe të tjerë. Ishin të gjithë në protestë për një qëllim. Edi Rama është diktatori më i madh i këtij vendi. Dua të më lirohet djali sa më shpejt. Duhet të lirohen të katërt, janë hallexhinj. Ata nuk protestuan për qejf”, shprehet nëna e protestuesit.

Vëllai i Vasilit pranon se edhe ai vetë ishte pjese e protestës kundër tarifës në “Rrugën e Kombit”. Urim Laçi thotë se kuksianët u ngritën për një qëllim, për të kërkuar të drejtën e tyre pasi në kushtet e tyre ekonomike ishte e pamundur pagesa e tarifës.

“Unë isha i pari në protestë. Nuk protestuam politikisht, dolëm për të drejtat tona. Nuk kemi mundësi të paguajmë taksat. Jemi pa të ardhura dhe ndihmë ekonomike. Duhet urgjentist të lirohen 4 protestuesit. Ju bëj thirrje qytetarëve që të përkrahin vëllezërit tanë në qeli”, apelon Urim Laçi.

kukes flasin familjaret e kuksianit te arrestuar 1

Familjarët thonë se nata kur policia ndërhyri në banesën e familjes Laçi për të arrestuar Vasilin ishte e tmerrshme.
“E morën në orën 3 të natës, na terrorizuan. Djali ishte i sëmurë, i lidhën duart dhe e futën në makinë. Erdhën me maska, armë dhe nuk kanë folur”, thonë Nexhmije Laçi.

Ajo kërkon lirimit e të birit, pasi kushtet e vështira ekonomike ia vështirësojnë përkujdesjen për dy fëmijët e Vasilit, të cilët kërkojnë pa pushim të atin.

“Dua të më sjellin djalin tek shtëpia. Fëmijët qajnë për të atin. Nuk kemi mundësi të mbajmë 2 fëmijët e Vasilit. Jemi të papunë. Fëmijët kërkojnë të atin”, thotë nëna e Vasil Laçit.
Gjykata e Apelit të Shkodrës la në burg 4 persona, të cilët protestuan më 31 mars në “Rrugën e Kombit”, protestë e cila u shndërrua në një tubim të dhunshëm ku pasojat në “Rrugën e Kombit” janë ende të dukshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb