TIRANE- Zbardhet në kohë rekord vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Aleksandër Moisiu” në kryeqytet, ku mbeti i vrarë me tre plumba 28-vjeçari Mario Majollari. Menjëherë pas ngjarjes, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor. Dhe pas një pune intensive dhe profesionale, gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit, fiksimit të çdo prove në vendngjarje, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda bënë shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, Kastriot Gjuzi, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Ky shtetas dyshohet se rreth orës 20:25, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për motive hakmarrjeje ka vrarë me armë zjarri shtetasin Mario Majollari, 28 vjeç.

Ndërkaq, vijon puna intensive për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Vrasjes për gjakmarrje”, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb