Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri, Kryemadhi: Rama po bllokon mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

20171124-210551

TIRANE– Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka komentuar zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm, i cili pritet të zgjidhet në muajin dhjetor. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, thotë se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm është e vështirë, pasi ende nuk është formuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili duhet të përzgjidhte kreun e ri të organit të akuzës, sipas reformës në drejtësi.

Sipas Kryemadhit, ky Këshill nuk është mbledhur ende, pasi Shoqëria Civile nuk ka një kandidat.

“Unë personalisht si individ gjithmonë kam qenë person që nuk më kanë interesuar zgjedhjet apo individët në këtë proces qoftë në gjyqësor. Qoftë në gjyqësor apo qoftë në prokurori duke pasur parasysh që gjithnjë është një institucion ose një sistem ku disa njerëz janë të kënaqur e disa jo. Unë do të thoja që reforma në Drejtësi u bë me moton e të ashtuquajturit depolitizim, për ta çliruar pra nga kthetrat e korrupsionit e nga ndikimet. Por në të vërtetë ndodhi që reforma në drejtësi nuk paska qenë gjë tjetër veçse një instrument kalimi. Ndodhi një gjë e tillë që hodhi poshtë pra e rrëzoi. Ne sot e kësaj dite nuk kemi ende një Këshill të Lartë të Prokurorisë.

Njerëzit nuk e dinë pse nuk u mblodh Këshilli i Lartë i Prokurorisë. E di ju pse? Sepse shoqëria civile nuk ka kandidatë. Informacioni Soros është një nga fondacionet që ka investuar më shumë nga të gjithë në shoqërinë civile. Tani nuk paskan një kandidatë për ta çuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë? Janë dy rrugë. E para, ose nuk kanë një listë të pastër me integritet dhe kredibilitet, pra të palyer qoftë me korrupsion, afera apo lidhje të dyshimta. E dyta, e kanë bërë të qëllimshme që të mos bëhet e të mos ngrihet Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mënyrë të tillë që të kenë një instrument për të kapur institucionin e Prokurorisë thjesht sa për të kaluar këtë situatë që ka të bëjë me çështjen Habilaj. Me këtë duan t’i tregojnë shqiptarët që parlamentin e qeverinë e morën, por do marrin edhe Prokurorinë e Përgjithshme.

A e ka bërë fondacioni Soros reformën në Drejtësi? Sigurisht që po. Politikanët kanë marrë çfarë u kanë sjellë dhe u paguan nga fondacioni Soros. Problemi qëndron këtu. Ky fondacion që kishte gjithë këto kapacitete të mëdha për t’i propozuar dhe për të qenë ekspertë në reformë, nuk paskan një anëtar për ta propozuar për bordin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo ose është e qëllimshme ose kanë qenë aq të nxituar për t‘i bërë veprimet, por nuk kanë bërë llogaritë që nuk kanë asnjë kandidat në të gjithë Network-un ose nuk gjejnë dot kandidat të kontrollueshëm”, u shpreh Kryemadhi.

(Balkanweb)





Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.