TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar pasi sekretariati i Kuvendit rrëzoi kërkesën e opozitës për bërë edhe një herë rivotim për ligjin për Teatrin Kombëtar, pasi pretendojnë se votat u manipuluan. Në një dalje publike nga selia blu, deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj sulmoi qeverinë ndërsa tha se ligji për shembjen e teatrit është mafioz. Sipas tij Gjykata Kushtetuese është nxjerrë jashtë funksionit.

Mes të tjerash ai tha se po grabiten 8500 metra katrore pronë publike, ndërsa i bëri thirrje pronarëve të tokës afër teatrit mos të bejnë pre e kërcënimeve.

“Nëse ka një tregues që provon sesa mafioz është ligji për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin atje të 6 kullave nga Edi Rama, ky tregues është mungesa e Gjykatës Kushtetuese! Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe që pretendon nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, është një vend ku Gjykata Kushtetuese është nxjerrë jashtë funksionit sipas një skeme të qartë mafioze, të drejtuar nga kryeministri i vendit. Skema mafioze, nëpërmjet të cilës Edi Rama asgjesoi Gjykatën Kushtetuese dhe, më pas, miratoi me urgjencë ligjin antikushtetues të Teatrit ka vetëm një qëllim: pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit të Edi Ramës nëpërmjet:

· Shembjes së Teatrit Kombëtar

·Grabitjes së rreth 8500 metra katrorë pronë publike dhe

· Kërcënimit të pronarëve privatë për ta shitur tokën me çmimin qesharak të përcaktuar, sërish në mënyrë antikushtetuese, nga kryemafiozi i qeverisë.

Partia Demokratike u bën thirrje pronarëve të rezistojnë ndaj çdo kërcënimi që po u bëhet nga kompania Fusha, e cila po përdor pushtetin mafioz të Edi Ramës për t’u grabitur pronën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte sot në funksion dhe nuk do të mbahej peng nga Edi Rama, i cili ka bllokuar prej më shumë se 1 viti emërimet e reja, opozita, artistët, pronarët, qytetarët që kundërshtojnë grabitjen, do të kishin mundësi ta ankimonin ligjin në Kushtetuese dhe Gjykata të pezullonte çdo veprim të qeverisë”, tha deputeti.

Ai shtoi se: “Gjykata Kushtetuese do ta bënte këtë, sepse ligji për Teatrin bie ndesh me të paktën 4 nene të Kushtetutës dhe me dy ligje të tjera, atë “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, si dhe me ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”. Në kushtet e asgjesimit të Gjykatës Kushtetuese nga mafia që na qeveris, ne po presim verdiktin e Presidentit të Republikës. Ne po presim që kreu i shtetit të vendosë veton e tij mbi ligjin mafioz Rama – Fusha dhe të mos bëhet pjesë e grabitjes e së paku 200 milionë eurove. Përfitoj nga rasti, t’i bëj thirrje faktorit ndërkombëtar në Tiranë, që ka, gjithashtu, përgjegjësi pse vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, të mos heshtë!
Të mos heshtë, njësoj si për drogën!
Të mos heshtë njësoj si për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese, por të reagojë për të ndaluar grabitjen e pasurisë publike dhe private nga kryeministri barbar dhe i korruptuar që drejton sot Shqipërinë. Partia Demokratike, opozita, qytetarët që duan ruajtjen e vlerave kulturore, si pjesë e identitetit tonë europian, qytetarët që duan Tiranën, qytetarët që nuk pranojnë grabitjen dhe qeverisjen nga mafia nuk do të lejojnë triumfin e së keqes!”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: