TIRANE- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka reaguar pas vdekjes së ish Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan në moshën 80-vjecare. Përmes një postimi në Facebook, Bushati thotë se vizioni dhe vendosmëria e Kofi Annan bëri të mundur jo vetëm çlirimin e Kosovës, por edhe pacenueshmërinë e tërësisë së saj territoriale dhe krijimin e shtetit më të ri në Evropë.

Statusi i plotë i Ditmir Bushatit:
Në librin e tij “Një jetë në luftë dhe paqe”, ish Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, fitues i çmimit Nobel për Paqe në vitin 2001, rrëfen vështirësinë e zgjedhjes mes dëshirës personale për të ndërhyrë në Kosovë, dhe etikës profesionale të postit zyrtar. Kjo dilemë e brendshme përkonte me përplasje më të mëdha, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa nga njëra anë, kërkonin të ndalnin makinerinë genocidiste serbe, ndërsa Rusia nga ana tjetër, kundërshtonte çdo formë ndërhyrje.
Në kulmin e debatit ndërkombëtar rreth ndërhyrjes vendimtare të NATO-s në Kosovë ishte po Kofi Annan, i cili i vuri vulën këtij diskutimi duke e konsideruar atë ‘plotësisht legjitime’.

Vizioni dhe vendosmëria e Kofi Annan dhe personaliteteve të kalibrit të tij bëri të mundur jo vetëm çlirimin e Kosovës, pacënueshmërinë e tërësisë së saj territoriale, e për pasojë krijimin e shtetit më të ri të Europës, por edhe jetësimin e një rendi nderkombëtar bazuar tek sundimi i së drejtës dhe respekti për të drejtat themelore të njeriut, larg skenarëve të Shekullit të 19 në të cilat bazohej politika etnocentrike e agresorit. Mirënjohje!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: