Me një meshë solemne që zgjati më shumë se tre orë dhe me pjesëmarrjen e një numri të madh besimtarësh, organi më i lartë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i drejtuar nga Kryepiskopi Joan dhe Sinodi i Shenjtë, përkujtoi 10-vjetorin e themelimit të Mitropolisë së Apollonisë dhe Fierit, si dhe Fronëzimin e Mitropolitit, Hirësisë së Tij Imzot Nikolla.
Imzot Nikolla u zgjodh një dekadë më parë me vota unanime nga Sinodi i Shenjtë, duke marrë drejtimin e kësaj mitropolie të rëndësishme. Në atë kohë, u vendos që qyteti i Fierit, së bashku me kishat përreth dhe numrin e konsiderueshëm të besimtarëve ortodoksë, të organizohej në një mitropoli të veçantë, si pjesë përbërëse e strukturës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Sot, pas 10 vitesh, kjo mitropoli shënon një tjetër moment të rëndësishëm, me inaugurimin e godinës së saj të re, e cila do të shërbejë si qendër për zhvillimin e aktiviteteve zyrtare dhe jetës kishtare në këtë rajon.
Gjatë këtij kremtimi të veçantë, Kryepiskopi Joan mbajti gjithashtu një fjalë përshëndetëse, duke vlerësuar rrugëtimin dhe kontributin e Mitropolisë së Fierit ndër vite.
