Tirana ngriti sot flamurin në sheshin “Skënderbej”, për të përkujtuar 108 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ceremonia u zhvillua në respektim të masave ndaj pandemisë, teksa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ky është viti i dytë që shqiptarët nuk e festojnë dot siç i ka hije këtë festë, pasi vitin e kaluar vendi ishte përfshirë nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.

Veliaj tha se, megjithatë sot jemi më të fortë se kurrë, duke rindërtuar me qindra shkolla e shtëpi për shqiptarët e prekur. “Është e vërtetë se ky 28 Nëntor, na gjen realisht në një kohë të pafat, sepse po jetojmë në një kohë të pafat planetare, pa harruar as faktin se 28 Nëntorin e kaluar nuk e festuam dot, kur tërmeti fatal provoi brishtësinë tonë njerëzore. Por, siç duket, jeta kështu është, një dyluftim, gjithmonë përballë fatit, duke u përleshur, të palëkundur, në tehun ndarës mes dështimit dhe triumfit. Por, edhe pse të brishtë në fatkeqësi, ne shqiptarët kemi ditur të jemi gjithmonë të bashkuar. Pikërisht, kjo ka qenë arma jonë më e fortë! Të tillë jemi edhe sot në luftën kundër pandemisë dhe ringritjes nga tërmetet. Një vit më pas, jemi duke rindërtuar qindra shkolla dhe shtëpi, për të provuar forcën dhe karakterin tonë triumfues”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se kur shqiptarët bëhen bashkë dhe punojnë, ringrihen më të fuqishëm. “Besoj se ata që realisht e duan këtë vend, që e duan Shqipërinë, do t’ia dalin ta drejtojnë atë drejt transformimeve të mëdha, falë punës, mirësisë dhe përkushtimit, sepse në fund të ditës, ua kemi borxh atyre që themeluan këtë shtet, këtë qytet dhe gjeneratës së re, që nuk besoj se do të na e falin kurrë nëse nuk do të mund të bënim atë sakrificë që baballarët e këtij kombi bën për këtë vend”, vijoi kryebashkiaku.

Në fund, Veliaj nënvizoi se sot beteja është me pandeminë e jo me njëri-tjetrin, me injorancën apo me padijen, duke dhënë mesazhin se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.

“Një shqiptar mund të bëjë shumë për veten e tij, por kur bëhen dy, ashtu si shqiponja jonë me dy koka në flamur, mund të bëjnë edhe më shumë për Shqipërinë. Ne sot kemi betejë me pandeminë, e jo me njëri-tjetrin. Ne sot kemi betejë, me tërmetet, jo me njëri tjetrin. Ne sot kemi betejë me injorancën dhe padijen, jo me njëri-tjetrin. Sot s’ka të majtë e të djathtë, s’ka toskë e gegë, s’ka të vegjël e të rritur, s’ka këndej e andej kufirit… Ka vetëm shqiptarë me një datë si shenjë të qartë identifikuese: 28 NËNTOR!”, përfundoi ai.

  • foto galeri
  • foto galeri

Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në ceremoninë e ngritjes së flamurit në “Sheshin Skënderbej:

Jemi mbledhur shumë më pak, jo si përherë duke festuar me muzikë patriotike, brohoritje, fishekzjarre dhe përqafime. Protokollet e pandemisë nuk na lejojnë të mblidhemi siç u ka hije ditës së shqiptarëve, ditës ku ne kremtojmë ekzistencën tonë si komb. Lutjet tona sot shkojnë për familjet e atyre që nuk janë më dhe për qytetarët që po përleshen ende me këtë flamë. E ka gjithkush një ditë të tijën të rëndësishme, e ka një njeri, e ka një individ, por e ka edhe një popull, e ka edhe një komb. Dita e rëndësishme për ne shqiptarët është sot, në 28 Nëntor.

“Ekziston mendimi – thotë Ismail Kadareja – se shqiptarët kanë qenë një popull pa fat në histori”. Por, sërish Kadareja, e vë në dyshim këtë mendim shpesh mbizotërues. “Sot, duket gati e pabesueshme, – vazhdon ai, – kur e mendon se si, në 1912, kur ekzistonte një Shqipëri gati-gati karikaturale, pa shkolla, pa jetë kulturore, pa jetë institucionale […] për më tepër në një çast të vështirë të historisë europiane, u arrit të krijohej shteti shqiptar…”

Por, u arrit!

Është e vërtetë se ky 28 Nëntor, na gjen realisht në një kohë të pafat, sepse po jetojmë në një kohë të pafat planetare, pa harruar as faktin se 28 Nëntorin e kaluar nuk e festuam dot, kur tërmeti fatal provoi brishtësinë tone njerëzore. Por, siç duket, jeta kështu është, një dyluftim gjithmonë përballë fatit, duke u përleshur, të palëkundur, në tehun ndarës mes dështimit dhe triumfit.

Por, edhe pse të brishtë në fatkeqësi, ne shqiptarët kemi ditur të jemi gjithmonë të bashkuar.

Pikërisht, kjo ka qenë arma jonë më e fortë!

Të tillë jemi edhe sot në luftën kundër pandemisë dhe ringritjes nga tërmetet. Një vit më pas, jemi duke rindërtuar qindra shkolla dhe shtëpi për të provuar forcën dhe karakterin tonë triumfues.

Teksa flamuri kuq e zi po ngrihej lart dhe era po e përkëdhelte lehtë në çdo valëvitje të tij, për një çast kujtova ata burra dhe gra, djem dhe vajza që 108 vite më parë ishin në Vlorë, përpara të njëjtës skenë dramatike, e cila që nga ajo ditë do të shënonte një pikë kthese të një serie triumfesh në fatin e historisë së kombit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë, në ato vite të trazuara, ka qenë në fakt akti më sublim kombëtar, historik dhe politik për të gjithë shqiptarët. Ndaj sot, sidomos për brezat e rinj, është shumë e rëndësishme të kuptojmë historinë nga kemi ardhur dhe në çfarë kushtesh të vështira dhe sakrifice është shpallur pavarësia jonë.

Sot, çdo tiranas, i vjetër “dem baba dem” apo i ri i viteve të fundit, duhet të ndihet krenar që është pjesë e një qyteti, i cili ka thënë gjithmonë fjalën e vet në çastet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë. 108 vite më përpara Tirana në fakt ishte e rrethuar nga forcat serbe të cilat po avanconin drejt Durrësit dhe Tiranës ndërkohë që kishin marrë Krujën. Historiani i madh dhe Qytetari i Nderit i Tiranës, Kristo Frashëri, do të rrëfente se në ato ditë historia e Tiranës nuk ndryshonte me muaj, as me ditë, por ndryshonte në çdo orë e me minuta. Ndaj, edhe ishte e rëndësishme që Tirana të ishte në pararojë të lëvizjes për Pavarësinë dhe kjo është arsyeja pse në Tiranë në fakt flamuri ngrihet në datën 26 Nëntor, pikërisht për t’i paraprirë ofensivës serbe, që ishte afruar në Krujë dhe që rrezikonte të merrte Tiranën dhe Durrësin. Ndaj, sot përulemi me nderim para veprës së paçmueshme të patriotëve të Tiranës që ngritën flamurin në qytetin që, pak vite më vonë, do të kthehej në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.

E pikërisht aty, nga kjo sakrificë e përbashkët, 108 vite më parë, për ne shqiptarët, do të fillonte një epokë e re, ku nga hiri i luftimeve do të lindte një feniks i ri i shpresës dhe i atdhedashurisë, për të na shoqëruar në një seri triumfesh përgjatë historisë tonëtë lavdishme siç ishin: Kongresi i Lushnjës dhe shpallja e Tiranës Kryeqytet, Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare, rrëzimi i diktaturës, Lufta Çlirimtare e Kosovës, Anëtarësimi në NATO, Pavarësia e Kosovës dhe pa dyshim ringritja nga tërmeti dhe lufta me pandeminë,triumfe të cilat gjithmonë do të shkëlqejnë, ndritshëm, në faqet tona të historisë.

Kjo është fuqia e bashkimit! Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë dhe punojmë, dimë të ringrihemi, dimë të bëjmë çudira, dimë t’ia dalim. Ndaj besoj fort se mënyra më e mirë për ta nderuar sakrificën e patriotëve, është të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar, për të ecur përpara me transformimin e Shqipërisë, ashtu siç e aspironin ata burra dhe gra, 108 vjet më parë, kur dikush me armë e dikush me penë, nisën një rrugëtim historik për lirinë e vendit.

Jam i vetëdijshëm se pandemia dhe tërmetet mund të kenë sjellë shume sfida dhe vështirësi për të gjithë qytetarët tanë, duke e bërë me raste dritën në fund të tunelit të duket e pamundur dhe të paarritshme, ashtu siç dukej 108 vite më parë, para se të shpallej Pavarësia.

Kur lexojmë fjalimin që Ismail Qemali mbajti në Vlorë, të gjithë ne mund të gjejmë detaje që të befasojnë për përkimin mes kohërave, detaje që kanë të bëjnë me vitin 1912, e njëkohësisht kanë të bëjnë me vitet 2019 e 2020:

“Vendi jonë – thoshte plaku i Pavarësisë – hoqi e voi të zezat e ullirit… ishte gati të jepte shpirt… Mirëpo, desh Zoti, që të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet…”

Sot, përsëri na udhëheq fjala e Ismail Qemalit, na nxit të veprojmë siç bëri thirrje ai: “…tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë…”

Ndaj, besoj se, ata që realisht e duan këtë vend, që e duan Shqipërinë, do t’ia dalin ta drejtojnë atë drejt transformimeve të mëdha, falë punës, mirësisë dhe përkushtimit, sepse në fund të ditës ua kemi borxh atyre që themeluan këtë shtet, këtë qytet dhe gjeneratës së re, që nuk besoj se do të na e falin kurrë nëse nuk do të mund të bënim atë sakrificë që baballarët e këtij kombi bënë për këtë vend.

Tirana dhe Shqipëria nuk kanë kohë për të humbur, as për t’u përçarë. Asnjë punë që mund ta bëjmë sot nuk mund ta lemë për nesër, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët të përqafojmë njëri-tjetrin, punën, progresin dhe të mirën. Vetëm e mira dhe bashkimi e ka çuar këtë vend përpara.

Ndodhi përpara 108 vitesh, do të ndodhë sërish, jam i sigurt, sepse sa herë kemi bashkëpunuar për të ecur përpara kemi dalë gjithmonë faqebardhë. Një shqiptar mund të bëjë shumë për veten e tij, por kur bëhen dy, ashtu si shqiponja jonë me dy koka në flamur, mund të bëjnë edhe më shumë për Shqipërinë. Siç thotë i moçmi: kur ndahet me të tjerë gëzimi shumëzohet e hallet pjesëtohen. E këto halle që po mbajmë e kanë të rëndë peshën nëse jemi vetëm.

Ne sot kemi betejë me pandeminë, e jo me njëri-tjetrin. Ne sot kemi betejë, me tërmetet, jo me njëri tjetrin. Ne sot kemi betejë me injorancën dhe padijen, jo me njëri-tjetrin. Sot s’ka të majtë e të djathtë, s’ka toskë e gegë, s’ka të vegjël e të rritur, s’ka këndej e andej kufirit… Ka vetëm shqiptarë me një datë si shenjë të qartë identifikuese: 28 NËNTOR!

E në fund dua t’ju uroj të gjithëve me fjalët e Naim Frashërit në poezinë Atdheu:

Begatoje, o Zot, ti këtë vend!

Epu njerëzve të tij mbroth e shend!

Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!

Gas përjetë paçin zotërit e tij!

I begatë, i lulëzuar qoftë ai,

Një të ardhme pastë plot me lumturi!

Gëzuar 108 vjetorin e Pavarësisë!

Rroftë Tirana! Rroftë Shqipëria dhe rrofshin shqiptarët kudo që janë!

Gëzuar festat dhe ditët më të mira i kemi të gjithë përpara!

Faleminderit nga zemra!

 (Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb