DIBER- Apelit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për të dorëzuar armët pa leje i janë përgjigjur dy dibranë. Burime nga policia e Dibrës bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se në komisariat janë dorëzuar një kallashnikov dhe një pushkë.

Tahiri u bëri thirrje qytetarëve që të dorëzojnë armët pa lejë brenda 30 prillit, i cili është dhe afati i fundit për të përfituar aministinë për ata që disponojnë të tilla.

Më herët, në sajë të fushatës sensibilizuese kundër armëve, “Mos gjuaj, por duaj”, Tahiri pohoi se 10 mijë qytetarë janë plagosur apo vrarë nga armët e shpërndara gjatë konfliktit të vitit 1997.
Një apel të veçantë ministri i Brendshëm e adresoi edhe ndaj këngëtarëve që shfaqen në publik apo në videoklipet e tyre me armë. “Edhe mua më ka rënë në sy se si të rinj apo të reja, shpesh herë artistë, akoma më shpesh këngëtarë, venerohen si model pozitiv edhe kur i shfaqen publikut me një armë në dorë.

Në fakt ky është një problem jo i vogël i shoqërisë për sot dhe për gjithçka duam të bëhemi nesër. Unë do pëlqeja dikë që do i bënte jehonë një libri, një këngë, një pikture më shumë sesa armës apo dhunës, apo konfliktit. Për fat të keq modelet sociale, qoftë në klasën tuaj, qoftë në shkollën tuaj, rrjetet sociale, pjesë e modeleve tona janë edhe ata që mundohen të jenë tendencë apo trendy i ditës duke mbajtur një armë. E në fakt arma nuk është pjesë e burrërisë, më shumë se dija, kultura, toleranca. E ne këtë duhet, bashkë me ju, t’ia transmetojmë të gjithë të rinjve e të rejave.
Ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur sot, në mënyrë që ju të jeni të sigurt e të garantuar larg kërcënimit të frikës, larg kërcënimit të dhunës, të konfliktit, armëve pa asnjë dyshim”, – tha në atë kohë ministri i Brendshëm.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb