Një nga ndeshjet e futbollit shqiptar është ndërprerë shpejt si pasojë e një sherri masiv. Kjo ka ndodhur në Peqin, teksa protagonistë bëhen stafet teknike.

Mësohet se takimi Shkumbini-Delvina është ndërprerë në minutën e 10-të për të mos vazhduar më. Pas golit të Delvinës me autor Mustën, pati një sherr masiv dhe pas 20 minutash ndërprerje, arbitri Klajdi Qëndra ka vendosur që takimi të mos vazhdojë për arsye sigurie.

Një dhunë që është e përsëritur, për më tepër në stadiumin e Peqinit. Tashmë u takon organeve disiplinore në FSHF të vendosin për këtë ndeshje, por me shumë gjasë ajo nuk do të përsëritet.

Njoftimi i policisë: 

Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Peqinit, kishin marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve K. F. Shkumbini dhe K. F. Delvina, e cila filloi në orën 13:00, në stadiumin e qytetit të Peqinit.

Masat për sigurinë brenda stadiumit i kishte marrë Policia Bashkiake, ndërsa shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, sipas rregullores, kishin marrë masa për sigurinë në perimetrin e jashtëm të stadiumit.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, në momentin kur ekipi i Delvinës shënoi gol, stafi i ekipit të Shkumbinit është konfliktuar me stafin e ekipit të Delvinës dhe për këtë arsye arbitri kryesor ka ndërprerë ndeshjen.

Menjëherë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan, që ndodheshin në sigurimin e perimetrit të jashtëm të stadiumit, kanë ndërhyrë në stadium duke parandaluar përshkallzimin e konfliktit dhe kanë bërë sigurimin e të dy ekipeve, K.F. Delvina dhe K.F. Shkumbini.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin proceduan penalisht për veprën penale ” Kanosja për shkak të detyrës”, shtetasit F. H., 52 vjeç, banues në Peqin, me detyrë shefi i klubit të futbollit të K. F. Shkumbini dhe shtetasin A. G. 66 vjeç, banues në Delvinë, me detyrë, trajnier i klubit të futbollit të K. F., Delvina.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë, pas vendimit të arbitrit për mos rifillimin e ndeshjes, kanë bërë shoqërimin deri në dalje të territorit të qarkut Elbasan, të lojtarëve dhe të stafit të ekipit të Delvinës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb