Kryeministri Edi Rama apo mban një takim me qytetarë në Zvërnec, ku ka deklaruar se do të dëgjojë prej tyre shqetësimet në lidhje me projektin e shumë kundërshtuar.
Ka qenë një nga të pranishmit që ka marrë fjalën duke iu drejtuar kreut të qeverisë, se deklaratat e tij e kanë prekur, pasi toka e tyre është e trashëguar brez pas brezi.
“Im atë ka luftuar për atë tokë për 25 vite, derisa ndërroi jetë, pastaj ma la trashëgim mua çështjen”, tha ai.
Qytetari: Ajo është një tokë e trashëguar dembabadem. Mua më vrau deklarata juaj, u duk e paragjykuar, u duk sikur… ç’të pres unë tani nga gjykata. Nëse më takon prona apo jo e cakton gjykata. Më kanë sorrollatur 35 vite, 25 vite luftoi im atë derisa vdiq. Fakti që s’kemi vrarë e prerë s‘do të thotë që të mos intervistohemi e të mos kemi zë. Disa deklarata tuajat më kanë prekur.
Rama: Fjalët kanë peshë të madhe. Unë jam shumë i kujdesshëm me fjalë. Kam thënë që prona është e kthyer dembabadem. Është kthyer shumë vite më parë, jo në këtë periudhë. Ligji funksionon që kthehen pronat e trashëguara. Nëse kthimi është i drejtë ose jo këtë nuk e vendos unë apo qeveria.
