Vllaznia, Gramshi, Apolonia dhe Teuta janë katër skuadrat që kanë siguruar pjesëmarrjen në fazën “Final 4” për sezonin futbollistik 2025/2026 në kampionatin e vajzave. Pas një edicioni plot rivalitet dhe garë, këto ekipe kanë prerë biletën për fazën vendimtare, ku do të përcaktohet edhe skuadra kampione.

Edhe pse katër skuadrat e kanë siguruar “Final 4”, dy javët e fundit mbeten të rëndësishme për renditjen, e cila përcakton ndarjen në vazo. Vendi i parë dhe i dytë do të vendosen në vazon e parë, ndërsa vendi i tretë dhe i katërt në të dytën. Shorti për “Final 4” do të hidhet më 11 maj në “Shtëpinë e Futbollit”.

Ndeshjet e fazës “Final 4” do të zhvillohen në periudhën 17–29 maj. Takimet e para gjysmëfinale janë planifikuar më 17 maj dhe do të luhen në fushat e skuadrave të renditura më poshtë në klasifikim, ndërsa sfidat e kthimit do të zhvillohen më 23 maj.

Ndeshja finale për vendin e tretë dhe të katërt do të luhet më 28 maj, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion është programuar më 29 maj, në ora 17:00. Të dyja finalet do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, duke kulmuar sezonin me një event të rëndësishëm për futbollin e vajzave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb