Debat i fortë është zhvilluar në Komisionin për Kulturën dhe Turizmin mes kryetares së komisionit, deputetes së Partisë Demokratike Ina Zhupa, dhe ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, lidhur me financimin prej 4.3 milionë eurosh të koncertit të Kanye West në Tiranë.
Gjatë diskutimeve, Gonxhe mbrojti vendimin e qeverisë, duke argumentuar se fondi ishte i nevojshëm për të garantuar zhvillimin e eventit dhe për të shmangur penalitete në rast se ai do të dështonte.
“Eventi është kryer, ishte i suksesshëm nga pikëpamja e logjistikës, e datës, orës dhe pjesëmarrjes. Ne kemi një event të përfunduar”, u shpreh ministri.
Nga ana tjetër, Ina Zhupa e cilësoi të pajustifikuar përdorimin e 4.3 milionë eurove nga buxheti i shtetit për një koncert, duke ngritur pikëpyetje mbi prioritetet e qeverisë.
“Eventi do të bëhej sepse për atë u kujdes shteti shqiptar me 4.3 milionë euro. Pyetja është pse këto para të qytetarëve shqiptarë u dhanë për këtë”, deklaroi Zhupa.
Deputetja demokrate akuzoi gjithashtu mazhorancën për mungesë debati parlamentar, pasi sipas saj vendimet miratohen pa diskutim.
“Ju funksiononi si ushtri. Ne këtu marrim kohën për të diskutuar, nuk japim menjëherë 4.3 milionë euro”, tha ajo.
Në vijim të debatit, Zhupa solli në vëmendje situatën e zjarreve në vend dhe problemet sociale, duke theksuar se fondet publike duhej të përdoreshin për emergjencat e qytetarëve.
“Po t’i dinit problemet e Shqipërisë, do t’ju vinte zor të kërkonit 4.3 milionë euro për një shtet që nuk ka një avion për të shuar zjarret, një shtet që kërkon donacione për ilaçe dhe ku në disa shkolla nxënësit ngrohen ende me dru”, deklaroi ajo.
Gonxhe iu përgjigj se është i njohur me problematikat e vendit dhe se debati duhet të bazohet në fakte.
“Kam shumë respekt për ju. Mund të jeni kundërshtare politike, por nuk jeni një zë hipokrizie. Të merremi me gjërat objektive”, u shpreh ministri.
Debati u tensionua edhe më tej kur Zhupa insistoi se prioritetet e qeverisë nuk duhet të jenë eventet artistike, por emergjencat me të cilat përballen qytetarët.
“Nuk është urgjenca Kanye West-i. Urgjenca janë zjarret dhe hallet e shqiptarëve”, theksoi ajo, duke iu referuar situatës së zjarreve në disa zona të vendit, përfshirë Delvinën.
Përplasja mes palëve vijoi edhe me ndërhyrje proceduriale nga deputetë të mazhorancës, ndërsa diskutimet u fokusuan te mënyra e miratimit të fondit dhe përdorimi i parave publike për organizimin e koncertit.
