Kriza e Chelsea thellohet edhe më tej në Premier League. Londinezët u mposhtën 3-0 në transfertë nga Brighton, duke regjistruar humbjen e pestë radhazi pa shënuar asnjë gol.

Skuadra e drejtuar nga Liam Rosenior zbret në vendin e shtatë me 48 pikë, duke u kaluar pikërisht nga Brighton, ndërsa zona e UEFA Champions League duket gjithnjë e më larg, me Liverpool që mban vendin e pestë.

E goditur nga dëmtimet dhe nën presion të madh, Chelsea provoi një skemë me pesë mbrojtës, por pa sukses: vetëm një goditje në portë dhe shumë hapësira në prapavijë.

Skuadra e Brighton arriti të siguronte një fitore tepër të thjeshtë teksa realizoi fillimisht me Kadioglu që në minutën e 3, ndërsa më pas në fraksionin e dytë Hinshelwood dhe Welbeck mbyllën llogaritë në favor të vendasve.

Statistikat për londinezët ndërkohë janë alarmante: vetëm një fitore në nëntë ndeshjet e fundit dhe një rekord negativ që nuk shihej që nga viti 1912. Ndërkohë, Brighton konfirmon formën e shkëlqyer.

Situata në “Stamford Bridge” mbetet e tensionuar, me presionin që rritet mbi trajnerin Rosenior dhe një reagim që tashmë duket i domosdoshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb