Një urdhër i ri që ka dalë për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) për të ofruar terapi hormonale, edhe për personat mbi moshën 13 vjeç e gjysmë, ka ndezur debate të ashpra dhe ka sjellë reagime.

I ftuar në emisionin “Studio24”, pastori Akil Pano ka dënuar ashpër këtë udhëzim, duke e cilësuar atë si një vendim të pakthyeshëm me pasoja të rënda për shëndetin e fëmijëve.

Pano u shpreh i shokuar nga ky vendim, duke bërë një paralajmërim të fortë dhe duke sjellë në vëmendje kufizimet ligjore që ekzistojnë për moshat nën 18 vjeç për gjëra shumë më të thjeshta siç është marrja e patentës.

“Debati për terapinë e hormoneve u rikthye dhe ishte surprizë si mund të dalë një urdhër për QSUT që të nisë terapinë hormonale të fëmijëve. Kur flasim për 13+ vjeçarë, flasim për fëmijë. Një qytetar nuk merr dot patentën pa bërë 18 vjeç, pra si mund të marrë këtë vendim të pakthyeshëm dhe me pasoja të mëdha për shëndetin,” deklaroi pastori.

Në fjalën e tij, Pano nuk ka kursyer termat e ashpër, duke e krahasuar drejtpërdrejt terapinë hormonale tek të miturit me procedurat që përdoren në vendet perëndimore për dënimin e abuzuesve seksualë. Sipas tij, ky vendim mbart nuancat e një gjenocidi ndaj brezave të rinj.

“Ne e quajmë këtë gjenocid! Sepse janë të njëjtat procedura dhe kimikate që përdoren për kastrimin e pedofilëve pasi është marrë një vendim gjyqësor në SHBA, Kanada apo Evropën Perëndimore kur ata kryejnë një shkelje abuzuese. Terapia hormonale është kastrim kimik për të miturit,” denoncoi me forcë Pano.

Më tej, i ftuar në “Studio24”, ai ngriti pikëpyetje të mëdha mbi prioritetet e sistemit shëndetësor shqiptar. Sipas pastorit, buxheti i shtetit dhe investimet duhet të shkonin për kategoritë që janë në harresë totale dhe që po përballen me kosto të papërballueshme jetese.

Në vend që të financohen të tilla nisma, pastori theksoi se spitalet shqiptare vuajnë nga mungesa e bazës materiale më elementare. Ai shtoi se prindërit e fëmijëve me autizëm nuk paguajnë dot terapitë e tyre dhe se pacientët e sëmurë me kancer kanë nevojë jetike për subvencionimin e medikamenteve, ndaj miratimi i një buxheti për këto kategori do të ishte shpëtim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb