Në 50-vjetorin e Krijimit të Akademisë së Sigurisë është zhvilluar konferenca në ambientet e Akademisë.

Gjatë fjalës së tij Drejtuesi i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema u shpreh se Akademia do të vijojë si një mision dhe se qëllimi është të arrihet modernizimi i saj, duke shtuar se policimi është një profesion shumë i vështirë.

“Arsimi i Lartë Policor është një njohje e padiskutueshme dhe nevojë bazike, por akademia ka pësuar transformime shumë të rëndësishëm por edhe mbyllje të saj në disa kohë. Koha tregoi se duhet mbështetur eksperienca e Arsimit të Lartë dhe kështu ndodhi. Akademia u riorganizuar sërish në vitin 2015. Kjo akademi ofron deri në 80 programe formimi. Sot kemi më shumë se 750 studentë dhe kursantë që studiojnë. Arsimimi i oficerëve të policisë ka një rol të veçantë. Akademia si mision do të jetë edhe shumë dekada të tjera. Na takon që të japim vizionin e duhur për të arritur një Akademi moderne”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër  ish drejtori i Akademisë së Policisë Bajram Yzeiri u shpreh se kjo shkollë ka eksperiencë dhe se kërkon një vëmendje të veçantë të vijojë misionin e saj.

“Duke u ndërruar ekipet drejtuese në vitet 2003-2004 kjo shkollë u mbyll dhe nëse pasojat i shohim është sepse kjo shkollë u mbyll. Dilemat midis drejtimit të Policisë dhe Ministrisë se nga kush do varet kjo shkollë më duket absurde. Kjo shkollë ka eksperiencë edhe me këtë format siç është. Veç akreditimit që kërkon vëmendje të veçantë sepse mund të vihet në pikëpyetje ekzistenca e kësaj shkolle, po ashtu duhet punuar më shumë me proceduarat që duhet të ndjekë punonjësi i policisë”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb