“Të dielën, për të pesëdhjetën ditë radhazi, protestuesit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, raportojnë mediat shqiptare. Protesta filloi si kundërshtim ndaj një projekti të pasurive të patundshme turistike nga familja e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, por që atëherë është shndërruar në një lëvizje që kërkon reforma më të gjera dhe që bën thirrje për shkarkimin e kryeministrit. Të enjten, demonstruesit planifikojnë një marshim kombëtar proteste përpara parlamentit të Shqipërisë”, kështu e ka nisur artikullin për revolucionin që po ndodh prej 51 ditësh në Tiranë gazeta holandeze NIEUWSBLAD.

Artikulli i plotë:

“Rama, jep dorëheqjen!”, “fundi yt po afrohet”, “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Shqipëria kërkon revolucion!”. Këto janë parullat e protestuesve që prej 50 ditësh marshojnë nëpër Tiranë.

“Nuk do ta lëmë këtë shesh derisa të plotësohen pesë kërkesat tona”, deklaroi një protestues para turmës së mbledhur, shkruan Albanian Daily News.

Sipas mediave lokale, ata kërkojnë ndër të tjera dorëheqjen e kryeministrit, rrëzimin e qeverisë dhe reforma politike për të luftuar korrupsionin.

Që nga fundi i majit, në Tiranë zhvillohen çdo ditë manifestime kundër ndërtimit të një hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur natyrore në Zvërnec, në bregdetin e Adriatikut. Zona përfshin vende pushimi dhe folezimi për flamingot, çafkat dhe shumë lloje të tjera shpendësh.

Projekti i ndërtimit, me vlerë 1,4 miliardë euro, mbështetet nga një kompani e Jared Kushner.

Ky projekt ka nxitur zemërimin e aktivistëve për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Protestat kanë marrë emrin “Revolucioni i Flamingove”, si referencë ndaj flamingove që jetojnë në zonën e mbrojtur ku planifikohet kompleksi turistik.

Rama refuzon ta ndalojë projektin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb