Pas përvojës së viteve të kaluara, Maqedonia e Veriut ka nevojë tani për një president normal e të drejtë. Të shpresojmë që Stevo Pendarovski është një president i tillë, komenton Boris Georgievski.
Presidenti të luajë rol korrektues
Për Pendarovskin vjen edhe një detyrë e re, që paraardhësi i tij, Gjorge Ivanov e injoroi vazhdimisht: të luajë rolin e korrektuesit për qeverinë në Shkup. Presidenti i deritanishëm ishte më shumë një shërbëtor i nacionalistëve të VMRO-DPMNE, që qeverisën më parë. Ivanov e shndërroi postin e presidentit në një pikë grumbullimi të sentimentalizmave nacionalë dhe dallgëve antiperëndimore dhe e torturoi vendin me paaftësinë dhe frikën e tij. Kështu ai nënshkroi në vitin 2016 një amnisti për të gjithë politikanët e ndjekur penalisht, vetëm për të mbrojtur Nikola Gruevskin, atëherë kryetar i qeverisë në Shkup. Gruevski ndërkohë (në një formë aventureske) iku në një ekzil të kërkuar vetë në Budapest, ku jeton në mbrojtjen e kryeministrit, Viktor Orban. Vërtet disa muaj më vonë, Ivanov pas presionit ndërkombëtar e tërhoqi amnistinë e tij, por dëmi i shkaktuar nuk riparohej aq shpejt.
27 prill 2017 – një pikë kulmore e turpshme
Një vit më vonë gabimi tjetër presidencial: Ivanov refuzonte t’i jepte mandatin shumicës parlamentare për krijimin e qeverisë. Me këtë ai e zgjati krizën politike në vend me disa muaj, e cila më 27 prill 2017 arriti një pikë kulmore të turpshme: Një turmë nacionalistësh mësyu parlamentin, sepse shumica parlamentare e deputetëve socialdemokratë zgjodhi si kryetar të parlamentit një shqiptar. Në fund të mandatit të tij, BE dhe shtetet perëndimore i kthyen kurrizin presidentit Ivanov: Ai e kishte bllokuar qeverinë, duke refuzuar të nënshkruante ligje të rëndësisme me emrin Maqedoni e Veriut.
Presidenti i ri Stevo Pendarovski ka tani detyrën t’i rikthejë dinjitetin dhe respektin presidencës. Kjo nuk është ndonjë dëshirë shumë e madhe pas përvojave të viteve të kaluara, dhe pritshmëritë jo të mëdha nga presidenti i ri. Askush nuk kërkon gjëra spektakolare nga presidenti i sapozgjedhur. Maqedonia e Veriut ka nevojë tani thjesht për një president normal, president të drejtë – të shpresojmë që tani e ka./DW
Sondazh