TIRANE

Në fjalën para protestuesve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kryedemokrati Lulzim Basha, u shpreh se mesazhi për Edi Ramën është një dhe i prerë: nuk do të mundet më të bollokojë rrugën Europiane të Shqipërisë.

“Jemi mbledhur në referendumin më të madh, nga Shkodra në Vlorë, nga Tropoja në Gjirokastër, ju uroj nga zemra mirësekeni ardhur në Kuvendin e sovranit. Jemi mbledhur sot këtu me një mision, për të çliruar Shqipërinë e krimit të korrupsionit, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Jemi mbledhur sot këtu me një kushtrim me një qëllim, me një mision për të mos pranuar më kurrë Shqipërinë e krimit, të korrupsionit, hajdutërisë, por për Shqipërinë si gjithë Europa. Shqipëri si gjithë Europa ka 30 vite që shqiptarët bëjnë sakrifica të përditshme.

Jemi sot në një udhëkryq të tmerrshëm produkt i një njeriu dhe klanit të tij të babëzitur, ndaj jemi këtu për ti dhënë një mesazh të prerë: Nuk të lëmë më të bllokosh rrugën drejt Europës. Rama ik! 6 vite e gjysmë të sundimit kriminal të Ramës e kanë lënë Shqipërinë jashtë europës, vendi i vetëm në botë pa gjykatë kushtetuese. Sot drejtësia shqiptare është më e kapur se kurrë, kjo është vepra e zezë e Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale. Rama ik. “ u shpreh Basha

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb