Bashkia e Rrogozhinës ka kallëzuar penalisht KZAZ nr. 43, pasi nuk i është përgjigjur kërkesës për lirimin e ambienteve nga materialet zgjedhore.
Në dokumentin e siguruar nga “BalkanWeb”, që mban firmën e kryebashkiakut Beqir Nuredini, thuhet se KZAZ nr. 43 e Rrogozhinës akuzohet për shpërdorim detyre dhe pengim të zbatimit të ligjit.
Kryebashkiaku Nuredini sqaron se i ka dërguar KZAZ një shkresë, duke i kërkuar të lirojë ambientet e Qendrës Kulturore të qytetit, si dhe të ndërpresë të gjitha veprimet për afishimin e listave të zgjedhësve, por kjo kërkesë nuk është zbatuar.
Për këtë arsye, kryebashkiaku i Rrogozhinës i është drejtuar organeve të drejtësisë, duke kallëzuar Komisionin Zonal Administrativ Nr. 43.