TIRANE – Qeveria ka nisur shlyerjen e borxheve të akumuluara ndaj prodhuesve privat të energjisë elektrike. Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka filluar likuidimin e një pjese të pagesave të prapambetura të HEC-eve.

“Gjatë ditëve të fundit është bërë e mundur likuidimi i mbi 11 milionë USD nga rreth 60 milionë USD që shkon detyrimi total i akumuluar që prej muajit shkurt. Brenda Janarit të vitit të ardhshëm pritet që Koorporata Elektroenergjitike të mund të shlyejë borxhet e 6-mujorit të parë të vitit 2014, ndërsa brenda Prillit do të likuidohen të gjitha borxhet e akumuluara nga viti 2014.”- bën të ditur Ministria e Energjetikës.

Sipas Ministrisë, “shlyerja e faturave korente të vitit 2015 do të bëhet në kohë, falë edhe një mekanizmi monitorimi në kuadër të projektit të rimëkëmbjes së energjisë elektrike, me synim mirëmenaxhimin e koorporatave dhe rritjen e likuiditetit në sektor.

“Për këtë qëllim, do të ndikojë pozitivisht edhe vendimi i marrë nga qeveria për të sjellë çmimin e blerjes së energjisë prej prodhuesve privat në parametrat e tregut, duke garantuar kështu vijimësinë e pagesave të rregullta dhe shmangien e akumulimit të mëtejshëm të borxheve.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Energjetikës.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb