Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, po përballet me Kolegjin e Apelimit në kuadër të procesit të Vettingut. Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda me argumentet se ka probleme me pasurinë dhe figurën morale.
Sipas raportit të DSIK, Muçi ka kontakte të papërshtatshme me një biznesmen, i cili rezulton me probleme ligjore. “BalkanWeb” ka mësuar se bëhet fjalë për biznesmenin Armand Lilo, pronar i kompanisë së ndërtimit ”Arlis shpk” në tiranë , person që sipas DSIK rezulton me probleme ligjore.
Sipas raportit të DSIK, gjyqtari Besnik Muçi i detyrohet biznesmenit Lilo shumën prej 21 mijë euro , pasi te ai ka blerë një banesë.
Kontakti me ketë person konsiderohet si i papërshtatshëm. Anëtari i Kushtetueses tha se Lilo është taksapaguesi më i madh i Bashkisë së Tiranës dhe një ndër punëdhënësit më të mëdhenj. Muçi tha se nuk e ka hetuar asnjëherë Lilon dhe se nuk kishte dijeni se ai kishte probleme me ligjin.
(BalkanWeb)