TIRANE 

Kryeministri i vendit Edi Rama ka realizuar telefonata live me qytetarët, për problemet që ata kanë në këta ditë të vështira, për shkak të koronavirusit.

Rama tha se ka nga ata që thonë se nuk është bërë sa duhet, duke shtuar se të tillët duhet të mos sillen në këtë mënyrë, por të vlerësojnë punën e atyre që po punojnë.

“Pse cfarë ka ndodh këtu, ka ardhur Viti i Ri dhe do shpërndajmë cokollata? Sepse thonë nuk po bëni gjë, nuk po na sillni gjë dhe e thonë ata që nuk kanë nevojë. Duan të krijojnë vetëm tension. Thonë se uria po merr njerëzit. Pika që nuk iu bie.

Se imazhet ishin të një familje rome që jetonin në një breg deti. Do të ndihmojmë familjet që kanë vështirësi ekonomike. Në Kukës dhe në Gramsh po ndihmojmë me ndihmë ekonomike familje. Janë të panumërta rastet që po ndiqen dhe po ndihmohen. Dje kemi trokitur në mbi 70 mijë familje. Epo kaq mundemi, se ne nuk jemi më shumë se popullata”, tha Rama.

Edi Rama shtoi më tej se zyrtarë të shtetit, duke filluar nga policët, ushtarakët e punonjësit socialë janë rrugëve në ndihmë të qytetarëve.

“Luftën nuk e solli qeveria, lufta na ka gjetur dhe bëhuni trima e rezistoni. Njerëzimi ka bërë qindra e mijëra beteja dhe nuk ka bërë njeri  dëngla. Ka raste për arsye të lëvizjes, që janë ekonomike dhe për raste të tjera. Kryetarë bashkie, prefektë dhe punonjës social janë rrugëve për t’ju ndihmuar. Epo ne kaq mundemi të bëjmë, sepse nuk jemi më shumë sesa popullata. Ju lutem, respektoni ata që po punojnë në këta ditë lufte për të gjithë ne”, u shpreh Rama.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb