News24 zbulon disa nga kompanitë që në këtë periudhë kanë ulur pagat e punonjësve të tyre. Për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 shoqëria aksionere Albcontrol ka ulur pagat e punonjësve.
Në letrën që iu është dërguar punonjësve të kësaj kompanie dhe që News24 ka siguruar, njoftohet se për shkak të uljes me 90% të fluturimeve si pasojë e kufizimeve të vazhdueshme prej mesit të muajit mars të ardhurat e kompanisë janë ulur në maksimum, ndaj kompania është e detyruar të ulë pagat e punonjësve.
Në këto kushte me vendim të Këshillit Mbikëqyrës numër 1, datë 24.04.2020 ‘Për uljen e pagave të punëmarrësve dhe pezullimin e të drejtave të fituar me kontratën kolektive të punëmarrësve të ‘Albcontrol’ SHA, për një periudhë të pacaktuar deri në kthimin në normalitet të situatës financiare të shoqërisë’, është vendosur ulja e pagave bazë, mosaplikimi i elementëve të pagës ‘të vështirësisë’ si dhe elementit ‘punë pa ndërprerje’ për punëmarrësit që punojnë turne të dyta dhe të tretat. Gjithashtu është vendosur edhe pezullimi i gjithë të drejtave me efekte financiare të fituara me kontratën kolektive.
‘ALBCONTROL’ nuk është kompania e vetme që ka ulur pagat e punonjësve. Edhe autoriteti i aviacionit civil në mbledhjen e bordit të mbajtur në datën 24 prill ka njoftuar përgjysmimin e pagës së drejtorit ekzekutiv dhe të punonjësve të tjerë.
Pika 2 e Vendimit të Këshillit drejtues nr 62, datë 21..11.2016 ndryshon si më poshtë: Paga bazë në vlerë absolute e drejtorit Ekzekutiv të jetë në shumën 168, 000 lekë. Paga bazë për të gjithë kategoritë e tjera ndryshon sipas përcaktimeve të rregullores.
Efektet financiare të vendimeve për përgjysmimin e pagës që shoqëria aksionere ‘Albcontrol’ ka marre dhe Autoriteti i aviacionit civil kanë filluar që në datën 1 prill 2020.
