NGA FATMIRA NIKOLLI*
“Shtëpitë e ndërtuara rrotull me siguri që do të kishin ma teriale ndërtimi apo edhe objekte të tjera të marra nga monumenti. Strukturat e banesave mund të ishin të mbështetura në strukturat e amfiteatrit dhe për këtë duhej vëzhgim i hollësishëm. Duhej një mbikëqyrje non stop me profesionistë të fushës së arkeologjisë e të monumenteve të kulturës. Unë shkova disa herë në amfiteatër gjatë punës për prishjen e banesave, por nuk gjeta supervizor”. Kështu shprehet Lida Miraj në “GSH”, duke sqaruar se gjatë punës për prishjen e ndërtimeve përreth amfiteatrit të Durrësit nuk ka pasur supervizorë, të cilët duhet të kontrollonin punimet. Më herët, DRKK Durrës, në një postim në faqen zyrtare në “Facebook” shkruante se “një nga kushtet e kërkuara nga DRKK Durrës për firmën restauruese ishte që të kishte në stafin e vet edhe dy arkeologë”. Më poshtë intervista e Mirajt.
-Kur pranë amfiteatrit të Durrësit po prishen ndërtimet përreth ju keni qenë e pranishme, por nuk ka pasur mbikëqyrës. Më herët, si erdhi projekti për këtë amfiteatër?
Në vitin 2013 amfiteatri i Durrësit u shënua si një nga 7 monumentet më në rrezik në Europë dhe kjo u bë, nga “Europa Nostra”, shoqatë pan-Europiane për Trashëgiminë Kulturore e lidhur me Bashkimin Europian dhe me Këshillin e Europës, me qendër në Hagë.
Në tetor të po atij viti një grup ekspertësh të Trashëgimisë Kulturore e të Financave të Europa Nostra dhe të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës erdhën dhe pas vizitës në amfiteatër e takimeve me ministren e Kulturës, ministren e Planifikimit të Territorit e Turizmit, kryetarin e Bashkisë së Durrësit, etj. dhe me mbështetjen e kryeministrit përgatitën një projekt të detajuar për amfiteatrin dhe në projekt përfshihen edhe muret bizantine dhe ato otomane. Ekspertët e sipërcituar erdhën edhe në vitin 2014 për të sjellë projektin e detajuar teknik e financiar, të cilin e prezantuan para instancave shtetërore në Ministrinë e Kulturës, në bashki, etj. Një kopje e projektit ju dërgua edhe kryeministrit. Në projekt shënoheshin edhe fazat e punimeve dhe ishte e qartë se duhej filluar me lirimin e sipërfaqes së arenës nga banesat e ndërtuara aty në fillim të shekullit të kaluar. Në këtë logjikë nga qeveria u miratuan fondet për shpronësimin e banesave dhe filloi prishja e tyre.
-Përse duhen mbikëqyrësit gjatë shembjes së ndërtesave?
Amfiteatri pas braktisjes shërbeu si gurore për ndërtimet e tjera në qytet. Kjo gjë ka ndodhur me shumë amfiteatro të tjerë, gjithashtu. Shtëpitë e ndërtuara rrotull me siguri që do të kishin materiale ndërtimi apo edhe objekte të tjera të marra nga monumenti. Strukturat e banesave mund të ishin të mbështetura në strukturat e amfiteatrit dhe për këtë duhej vëzhgim i hollësishëm. Amfiteatri pas braktisjes u përdor për funksione të tjera, të cilat gjithashtu mund të kishin lënë gjurmë dhe për të gjitha këto e të tjera, duhej një mbikëqyrje non stop me profesionistë të fushës së arkeologjisë e të monumenteve të kulturës. Unë shkova disa herë në amfiteatër gjatë punës për prishjen e banesave dhe sa herë pyesja punëtorët për mbikëqyrësit, gjithmonë merrja një përgjigje standarde: ‘Ishin këtu, por sapo ikën’. Atëherë fola para mediave për mungesën e supervizimit.
-A rregullohet me ligj kjo?
Kjo nuk ka nevojë për ligje të tjera, jo vetëm për faktin se për këtë ka ligje kombëtare e ndërkombëtare, të cilat duhet të zbatohen në mënyrë të domosdoshme. Për shembull, nga prishjet kanë dalë fragmente muresh të amfiteatrit mbi të cilat mbështeteshin banesat. Kanë dalë shumë materiale ndërtimi, të cilat duhet të ishin seleksionuar me kujdes nga profesionistë të fushës. Çdokush mund të pyesë nëse ka apo jo profesionistë dhe nëse ka, a u caktuan për mbikëqyrje profesionistë apo jo?
Në 19 fotot të postuara në “Facebook” nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, më datë 30 tetor duken disa persona të veshur jo me rroba pune dhe me celularë të dukshëm në dorë, që pozojnë para kamerave për t’u dukur që janë aty. DRKK në këtë postim bën edhe komentin: “Amfiteatri i Durrësit së shpejti do të ketë të lirë arenën e tij, më në fund të çliruar nga disa ndërtesa të banuara, të vendosura në pjesën juglindore të saj. Pas procesit të shpronësimit, menjëherë filloi puna për rehabilitimin e hapësirës së arenës. Projekti i rehabilitimit, i tenderuar nga DRKK Durrës, po realizohet nga një subjekt i licencuar për restaurimin e monumenteve të kulturës.
Një nga kushtet e kërkuara nga DRKK Durrës për firmën restauruese ishte që të kishte në stafin e vet edhe dy arkeologë, të cilët duhej të drejtonin punimet e prishjes së ndërtesave në mënyrë manuale. Kjo kërkesë i detyrohej faktit që në përbërjen e ndërtesave të mund të seleksionoheshin materiale me vlera arkeologjike të amfiteatrit, të cilat mund të jenë ripërdorur për ndërtim. Mbikëqyrja e këtij procesi po bëhet nga DRKK Durrës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës. Fotot e mëposhtme janë marrë sot nga procesi i punës në arenën e amfiteatrit”. A keni ju ndonjë koment, se unë jam pa fjalë!
-Ju jeni marrë me Durrësin, prishja e ndërtimeve çfarë do të thotë, si e ndihmon amfiteatrin?
Amfiteatri është monument që ka historinë e tij për kohën kur u ndërtua e kur shërbeu për ndeshjet me gladiatorë dhe kjo mbulon rreth 2 shekuj e gjysmë. Amfiteatri ka gjithashtu historinë e tij të mbas braktisjes deri në fillim të shekullit XVI, kur Marin Barleti e përmend në librin e tij mbi historinë e Skënderbeut. Në këtë periudhë në strukturat e amfiteatrit u ndërtuan Kapela Bizantine, arena u përdor si varrezë, etj. Në të gjitha gërmimet arkeologjike të bëra në amfiteatër janë gjetur materiale shumë interesante. Unë vetë kam drejtuar fushata gërmimi në dy dekadat e fundit të shekullit të kaluar e të gjitha gërmimet kanë sjellë në dritë jo vetëm pjesë të amfiteatrit, por edhe një Ossarium me 40 skelete, një Kapelë Bizantine të Shek. XIII të dekoruar me afreskë të shkëlqyer, të cilët për fat të keq në këtë çerek shekulli janë dëmtuar totalisht, shumë varre dhe të gjitha këto materiale shumë interesante lidhen me historinë e monumentit, por edhe të vetë qytetit.
-A mësuat nëse ditët e tjera kanë qenë mbikëqyrësit?
Kam shkuar shumë herë në amfiteatër dhe asnjëherë aty nuk kam gjetur asnjë mbikëqyrës, as profesionist e as joprofesionist. Gjithmonë punëtorët më kanë dhënë përgjigjen tip ose të standardizuar: “Ishin këtu, por sapo ikën”. Unë vetë asnjëherë nuk gjeta aty asnjë arkeolog e asnjë supervizor arkeolog ose joarkeolog.
-Këto kohë janë diskutuar shumë varrezat e Rrmajit. A është bërë restaurimi i duhur atje, apo janë dëmtuar?
Restaurimi duhet të jetë restaurim i bërë nga specialistë. Për restaurime rregullat janë të shkruara qartë nga konventat ndërkombëtare dhe duhet të respektohen nga institucione, të cilat mbulojnë këtë veprimtari. Për fat të keq një pjesë e restaurimeve tek ne nuk mund të quhen restaurime.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
