Barcelona vijon përgatitjet për rinisjen e kampionatit dhe ende pa zbritur në fushë “kërcënon” të gjithë rivalët se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga titulli kampion në La Liga. Konfrimimi për këtë vjen nga një tjetër raport i stafit mjekësor të klubit katalunjas, që është zbuluar dhe publikuar nga e përditëshmja “Sport”. Sipas raportimit që i është bërë trajnerit Kike Setien, të gjithë futbollistët gëzojnë një formë shumë të mirë fizike. Asnjë dëmtim apo shqetësim muskular për futbollistët e Barcelonës.
Jo vetëm kaq, pasi ata kanë rritur ndjeshëm edhe formën fizike dhe atletike gjatë javës së stërvitjes në grup. Po ashtu, sipas raportit mjekësor të publikuar nga e përditëshmja iberike, Messi dhe shokët e tij janë të përgatitur psikologjikisht të kthehen në fushë. Duke qëndruar në lajmin e publikuar nga “Sport”, Kike Setien ka mbetur shumë i kënaqur nga raporti mjekësor, aq sa i ka thënë stafit të tij se lojtarët janë si “dema”. Edhe në raportin e parë të hartuar nga stafi mjekësor pas përfundimit të izolimit, futbollistët e Barcelonës u kthyen në stërvitje me një formë fizike dhe atletike shumë më të mirë nga sa parashikohej.
(balkanweb)