Më në fund, Robert Lewandowski rikthehet në nivele të larta, tërhoqi Barcelonën në suksesin 4-2 përballë Valencia-s. “Bomberi” polak ishte protagonisti kryesor i këtij takimi duke realizuar një “tripletë” golash. Ekipi i Xavi-t kaloi në minutën e 22-të, me Fermin Lopez që realizoi një gol të bukur me një goditje të saktë me kokë. Valencia reagoi fuqishëm, ku fillimisht pas 5 minutash barazuar shifrat në 1-1, pas një super gafe nga Ter Stegen, ndërsa në të 38-të përmbysën rezultatin me një goditje nga pika e bardhë e penalltisë. Pikërisht në momentin e tyre më të mirë, Valencia mbeti me 10-të lojtarë, për një prekje të topit më dorë nga portieri jashtë kuadratit të tij.

Në pjesën e dytë stafetën e mori Robert Lewandowski. Në minutën e 49-të, Leva barazoi shifrat në 2-2, ndërsa goli i çlirimit vonoi pak, erdhi në minutën e 82-të. Për të mbyllur llogaritë me këtë takim, mendoi sërish Lewandowski që në shtesë realizoi golin e tretë personal dhe të katërtin për Barcelonën. Shijon këtë fitore edhe trajneri Xavi:

“Jam shumë i lumtur për sjelljen e lojtarëve, pasi edhe gabimet shërbejnë për t’u rritur. Kishte gabime individuale, por mendoj se në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë, mbi të gjitha në fazën sulmuese. Tani sfida me Girona-n për vendin e dytë? Do të jetë një ndeshje e madhe. Të dy ekipet luajnë në sulm, kjo do të jetë një gjë e bukur për spektaklin”, u shpreh Xavi duke bërë në fund edhe një koment për vendimin e tij për të qëndruar: “Në janar ndihesha përgjegjës për atë që po ndodhte, por tani situata është ndryshe, për këtë arsye fola edhe me presidentin. Këtë periudhë kam ndjerë shumë mbështetjen e klubit, të Decos dhe të lojtarëve”, u shpreh Xavi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb