Artisti i njohur, Adrian Paci, është bërë pjesë e debatit nëse shkritarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë qenë bashkëpunëtore të agjenturave të huaja, pas dokumenteve të Ish-Sigurimit të Shtetit dhe CIA-s amerikane të publikuara nga studiuesi Auron Tare.

Teksa pozicionohet në krah të dy shkritarëve, Paci shkruan në ‘Facebook’ se Camaj e Koliqi nuk ja kanë marrë frymën me monumentalitetin e tyne ambjentit kulturor shqiptar.

“Ata nuk ka shumë që kanë dalë nga harresa e mohimi që u kishte rezervue regjimi. Nëse dikush e ka për zemër ekologjinë e ambjentit tonë kulturor, nuk mundet mos me u nisë nga kjo pikë, pra nga fakti se jena duke folë për dy autorë që vuejn ende nga mohimi i dhunshëm po aq sa nga kakofonia e rrumpallizimi i jetës kulturore të këtyne viteve post komunizëm”, shkruan artisti mes të tjerash.

Reagimi i plotë:

Ambienti kulturor shqiptar nuk na paraqitet si një sistem i ngurtësuem monumentesh të paluejtshëm që rrinë aty me shekuj. Ai i ngjan ambjenteve tona urbane; pa sistem, pa referenca të mirëpercaktueme, ku i forti i bjen të ligut e ku shpërndamja e vëllimeve nuk orjenton, por krijon konfuzion. Ka në këtë rrëmujë edhe tentativa groteske për monumentalizime butaforike e patetike. Në këtë pikë jam dakort me Peizazhet e Fjales se demonumentalizimi i këtij ambjenti dhe çlirimi nga patetizmat mbetet i nevojshëm, por po aq i nevojshem asht edhe ndërtimi i sistemit të referencave ku vlerat marrin vendin e tyne e nuk nëperkamben.

Camaj e Koliqi nuk ja kanë marrë frymën me monumentalitetin e tyne ambjentit kulturor shqiptar. Ata nuk ka shumë që kanë dalë nga harresa e mohimi që u kishte rezervue regjimi. Nëse dikush e ka për zemër ekologjinë e ambjentit tonë kulturor, nuk mundet mos me u nisë nga kjo pikë, pra nga fakti se jena duke folë për dy autorë që vuejn ende nga mohimi i dhunshëm po aq sa nga kakofonia e rrumpallizimi i jetës kulturore të këtyne viteve post komunizëm.

Ata sigurisht nuk janë të pakritikueshëm e një vështrim kritik mbi veprën e mbi jetën e tyne nuk i ban dam askujt.
Por këtu del ne pah nevoja e një morali të kritikës. Ky moral presupozon që përjashtimi i dhunshëm që regjimi u ka ba këtyne autorëve të zgjojë te seicili që merr persipër qasjen kritike, ndjenjën se po prek një trup të landuem, një trup që ka kalue traumën e dhunës. Mendoj se moralit intelektual shqiptar i mungon sensi i pendesës për atë të keqe që ka përshkue jetën kulturore shqiptare nën diktaturë. Ndjenja e pendesës nuk asht e lidhun me fajin individual, por e ban seicilin përgjegjës që, para se me folë, me ia ndie dhimjen që kanë provue viktimat e brutalitetit komunist shqiptar.

Por në vend të dhimbjes e pendesës, shpesh herë (e këtu dalim përtej rastit në fjalë) ndeshemi me një lloj kulimlleku intelektual, me një zgërdhimje mbrapashpinëse, me një dashakeqësi cinike e ndjenjë demek superioriteti, që nuk don asesi me i ba llogaritë me padrejtësine e madhe dhe prishjen e drejtpeshimit me të cilën ambjenti kulturor shqiptar doli nga diktatura.

Asht e vërtete se analiza kritike ka nevojë per ftohtësine e shikimit e nuk mbahet në kambë me sentimentalizma, por morali i kritikës për të cilin e kam fjalën nuk ka kurrfarë lidhjeje me sentimentalizmin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb