“Në Durrës, pallatet dhe shtëpitë e shkatërruara nga tërmeti qëndrojnë ende si gërmadha. Edhe pse kanë kaluar 9 muaj nga 26 nëntorit i vitit të kaluar, banorët janë pa zgjidhje”. Kështu deklaron Partia Demokratike, teksa publikon denoncimin e një qytetareje në Porto Romano.

Kryetari i degës së PD, Durrës, Ferdinand Xhaferraj, ishte në banesën e rrënuar të Vera Përgegës e cila thotë se askush nuk i ka dhënë zgjidhje dhe nuk di asgjë se çfarë do të bëhet me shtëpinë e saj të rrënuar nga tërmeti.

Vera Përgega deklaron se megjithëse ka trokitur në çdo derë shteti, askush nuk do t’ia dijë për hallin e saj dhe të shumë banorëve të tjerë që i ka zënë i njëjti hall.

“Mua më doli DS3 shtëpia. DS3 i thonë 5 milionë. I mora ato 5 milionë, mu dukën vonë me u marrë se jam në hall. Hyjmë, filluam riparimet, bëmë gropën këtu, duke riparuar instalimet, hatri i zotit ra soleta. Deshi Zoti, faleminderit Zoti shpëtuan robt pa vdekur. Ika te policia, thanë kështu puna. Thanë ne s’kemi punë me këtë punë. Nuk është për ne kjo punë. I them operativit të zonës, thotë shko te kryetarja e Komunës. Ika te kryetarja e Komunës, nuk kam çfarë të bëj thotë. Mos më hajde fare, unë nuk kam çfarë të bëj. I kanë marrë lekët ata që nuk kanë fare problem në botë. Shumë mirë ore që i kanë marrë po të paktën të më japin mua lekun tim. Çfarë mund të bëj unë më 5 milion lekë? Ja të vijnë, të vijnë, edhe ato që i kam bashkuar dhe blerë do t’i bashkoj e t’i hapi e le t’i bëjë kush të dojë. Me 5 milionë hallall ia bëftë Zoti të ma bëjnë shtëpinë. Unë kam nevojë për shtëpi. Ata kanë thënë është për shembje, kjo shtëpi nuk bëhet. Tani hajde ta bëjnë me 5 milionë unë s’di kujt t’i them, kujt t’i them më unë. S’kam lënë derë pa shkuar e pa u ankuar, për të kërkuar të drejtën time, e drejta që më takon”, deklaron qytetarja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb