Deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se listat e partive janë 100 përqind të hapura.

Gjylameti theksoi se lista është totalisht e hapur, derisa mund të ndryshohet nga zgjedhësit.

“Listat janë hapur me 100 për qind. Çdo votues në Shqipëri ka të drejtë që të votoj përtej subjektit politik, duke votuar partinë e preferuar dhe kandidatin që dëshiron. Zgjedhësit mund të tejkalojnë listën e përgatitur nga partia. Ne kemi respektuar edhe kuotën ligjore. Lista është e hapur, mund të ndryshohet nga çdo zgjedhës dhe kjo ka rëndësi. Ne kemi n jë ekip përfaqësues të mirë të PS-së”, tha Gjylameti.

Blerina Gjylameti theksoii se rindërtimet po vazhdojnë, duke thënë se në Kombinat do të ndërtohet një lagje e re moderne.

“Të prekurit më shumë janë në banesa private, por edhe në pallate. Kemi shtëpi të rindërtuara ndërkohë. Janë afërsisht 359 banesa që janë për rindërtim në Tiranë. Shumë prej tyre përfundojnë në fund të vitit. Në Vaqarr dhe në Kashar do kemi rindërtime. Rindërtimet janë me standarde të larta europiane. Numri i banesave të dëmtuara është shumë i lartë. Bonusi që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë është dhënë për të gjithë. Në Kombinat do rindërtojmë një lagje moderne, prandaj do kohë më shumë. Do të shikojmë se vlera që do të marrë prona do jetë shumë e lartë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo që po ndodh në Shqipëri, por ne të gjithë si qytetarë do jemi pranë këtyre banorëve që iu ndodhi fatkeqësia”, u shpreh Gjylameti.

Më tej, Gjylameti deklaroi se ekonomia shqiptare po performon mirë në disa sektorë, duke vënë në dukje se do të rriten pagat e mjekëve.

“Është bërë menaxhim i kënaqshëm ndaj situatës së pandemisë të koronavirusit. Mendoj se kemi pasur menaxhim shumë të mirë të situatës. Çdo gjë duhet parë hap pas hapi, pasi edhe efektet e Covid-19 janë të paparashikuara. Duhet që të gjithë të jemi të ndërgjegjshëm. Tani do kemi buxhetin për rritje të pagave të mjekëve. Ekonomia shqiptare është në rritje. Shumë sektorë kanë ecur mirë. Edhe gjatë pandemisë, eksportet shënuan rritje”, tha Gjylameti.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb