Kreu i PD, Lulzim Basha ka shkuar për të parë nga afër rrugën e përmbytur të Obotit në Shkodër që ka izoluar prej ditësh banorët e fshatit në fjalë.

Basha thotë se ky është treguesi më i qartë i mungesës së menaxhimit pasi shteti duhet t’i vinte në kohë në ndihmë qytetarëve të Obotit që mos izoloheshin.

Ai i kërkon shtetit të lërë gjithçka tjetër dhe të ndihmojë banorët e Obotit dhe të Shkodrës që po vuajnë nga përmbytjet.

“Nuk është situatë e mirë që ndodhemi shpesh këtu. Banorët në dëshpërim total. Ju përgëzoj që keni qenë përkrah banorëve. Do bëjmë ç’mundemi. Tani sapo mbërrita, pashë që po vinin 2 kamionë, nuk e di ndërruan turnin, apo vijnë për herë të parë. E rëndësishme ësthë të jenë këtu. Izolimi i Obotit është shenja e parë e përmbytjes. Nga ana tjetër është treguesi i një mungesë totale e menaxhimit. Duhet të ishin marrë masat që familjet të mos izoloheshin.

E lehtë për të qenë i hidhëruar me këtë, prandaj jemi afër jush sot. Ju goditeni të parët, përgjegjësinë e ka shteti për t’iu ardhur në ndihmë, por dhe ne do ju ndihmojmë me ç’kemi në dorë. Duhet të bëjmë gjithçka t’ju gjendemi pranë. Nga COVID-19 në përmbytje, mund të ishte menaxhuar më mirë. Tani që situata po precipiton duhen marrë të gjitha masat. Ju i keni në krahë njerëzit tanë. Me gjithçka kemi do jemi pranë jush. Duhet ta theksoj se detyra kryesore është e shtetit të lërë gjithçka tjetër, dhe t’i vijë në ndihmë qytetarëve.”- tha Basha.

I pyetur se çfarë ka bërë PD ndryshe në 2010, kryedemokrati u shpreh se janë banorët ata që dinë ta bëjnë diferencën, duke ironizuar edhe një darkë të disa ministrave të qeverisë në Dubai.

“Këto situata kërkojnë një mobilizim maksimal politik dhe nëse e mbani mend 2010 e ka gjetur të gjithë qeverinë këtu pranë banorëve, të ndarë në shtab pune, ministër për zonë me një vendosje të shpejtë të ndërlidhjes, qoftë për të përballuar emergjencën qoftë edhe problemet që lindën Gjëja e parë është që qeveria të mendojë për njerëzit. Një gjë ta them dhe të garantoj, se skam ardhur të bëj politikë as me Ramën e as me çështjen, por meqë ma ngritje pyetjen ju garantoj se në 2010 s’ka pas ministra të qeverisë duke hëngër darka në Dubai në restorantet më të shtrenjta”,- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb