Ish-deputeti i LSI-së Përparim Spahiu, me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se falja e gjobës ndaj një zyrtari të Rilindjes, vetëm sa tregon se nuk ka drejtësi ndaj qeveritarëve në pushtet.

Spahiu thekson se kultura e pandëshkueshmërisë ekziston, duke thënë se uragani i 25 prillit do të bëjë drejtësi për të gjithë.

Postimi i ish-deputetit të LSI-së Përparim Spahiu:

Vendimi i Komisionit te Sanksioneve dhe Ankesave në KQZ, i cili vendosi të amnistojë shkeljen e deputetit të Rilindjes që shpërndan leje legalizimi në shkelje të rregullave, është një inkurajim që ky organ i bën rasteve të ngjashme.

Ndarja e lejeve të legalizimit, tapive apo përdorimi i procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, janë veprimtari të ndaluara nga KQZ-ja.

Pavarësisht se gjoba fillestare prej 1200 lekësh ndaj kreut të Kadastrës së Lushnjes ishte një tallje me aktin e miratuar nga vetë KQZ, simbolika e saj vlente për të dënuar një veprimtari të padenjë ku deputetë nuk bëjnë punën e tyre, por bredhin lart e poshtë nëpër Shqipëri duke shpërndarë tapi dhe leje sikur t’ua kishte lënë babai trashëgimi.

Heqja e kësaj gjobe dhe amnistia për përfaqësuesit e popullit që keqpërdorin institucionet shtetërore nuk parathotë asgjë të mirë për ndërhyrjen e institucioneve të pavarura në mbrojtje të rilindasve të rinj.

Çdo përpjekje do jetë e kotë. Uragani i 25 prillit do të bëjë drejtësi për të gjithë. Vota popullore do t’i kthejë dinjitetin shtetit, duke e vendosur atë në shërbim të qytetarit dhe jo të pushtetit.

#ShqiperiaShtepiaJuaj ??

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb