Mes socialistëve që refuzoi të ishte pjesë e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit ishte dhe Alket Hyseni.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, nga qyteti i Sarandës, Hyseni sqaroi se pse nuk pranoi që të ishte pjesë e garës, ku ishte renditur i 11 në listë për këtë qark, ndërsa theksoi se ky ishte vendim i tij.
Sipas tij, ai kishte vendosur që të shërbente deri në fund të mandatit të tij si deputet, që skadon në shtator, dhe më pas të jepte kontributin e tij në PS. Ai e cilësoi një akt i paprecedentë e dinjitoz nga ana e kryeministrit Edi Rama, vendosjen e tij i teti në listën e qarkut Vlorë, por edhe në Durrës.
“Nuk duhet të jetë shqetësim. PS është një familje e madhe e cila funksionon në bazë të një statuti dhe rregulla të përcaktuara qartë. Një familje e madhe që përherë i hap dyert të rinjve, jo vetëm në moshë, por prurjeve të reja. Një familje e madhe që ka shumë role dhe detyra. Të qenurit deputet është vetëm një. Kushdo që është pjesë e ekipit është i nderuar. Por janë një sërë funksionesh të tjera. Kam qenë i nderuar që kam qenë pjesë e asaj liste, por nisur nga një situatë politike konkrete, ku kryeministri i vendit tim, vendosi veten si rrallë kush ndonjëherë në pozicionin e 8 këtu (qarku Vlorë) dhe në Durrës, një akt i paprecedentë, unë kam gjykuar që do të ishte më dinjitoze që të punoja për këtë kandidaturë dhe për të gjithë listën. Për t’i dhënë sa më shumë vota dhe mbështetje këtij akti të rrallë politik. Ndaj tregojmë se vlerësojmë njeriun e punës, e ideve, njeriun e paepur dhe që i duhet njeriut në këtë mandat. Nuk është thjesht programore, pasi PS nuk krahasohet me të tjerët. Pasi edhe programi është me këmbë në tokë dhe jo si programi i Sudes në krahun tjetër. Sot është koha që Saranda, Vlora, të kuptojnë se Edi Rama i duhet më tepër Shqipërisë se kurdo herë tjetër. Jemi pranë fazës së Konferencës Ndërqeveritare dhe procesi i katër viteve do të jetë teknik dhe kërkon njerëz punëtor dhe jo njerëz që ngrihet pasdite. Unë e kam gjykuar se politikisht se roli im do të sjellë mandatin e tretë për PS. Detyra ime përmbyllet në shtator, deri atëherë do të kryejë funksionet e nderuara në këtë zonë. Pas kësaj date, në detyra të tjera të partisë, në kontakte të mia me shumë miq sarandjotë, do të punoj me mish dhe shpirt për të mirën e Sarandës.”, tha Hyseni.
(BalkanWeb)
