Deputeti austriak Peter Haubner ka ndarë një foto në rrjetet sociale nga takimi me nënkryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj.
Në postimin e tij në Facebook, Haubner e cilëson takimin si një shkëmbim interesant, ndërsa thekson se parlamenti austriak dhe ai shqiptar kanë prej vitesh një bashkëpunim të ngushtë dhe të besueshëm.
Sipas deputetit austriak, ky bashkëpunim reflektohet në shumë projekte të përbashkëta, veçanërisht në kuadër të “Demokratiewerkstatt International” dhe programit të bursave për Ballkanin Perëndimor.
Haubner nënvizon gjithashtu se gjatë takimit me Gjekmarkajn u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha si ekonomia, shkenca dhe arsimi.
Në fund të reagimit të tij, deputeti austriak rithekson mbështetjen e qartë të Austrisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Austria e mbështet qartë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, shkruan ai në postimin e publikuar në Facebook.
Postimi i plotë:
Shkëmbim interesant me nënkryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Agron Gjekmarkaj. 🇦🇱
Parlamentin austriak dhe atë shqiptar i lidh prej shumë vitesh një bashkëpunim i ngushtë dhe i besueshëm, i reflektuar në projekte të shumta të përbashkëta, veçanërisht në kuadër të “Demokratiewerkstatt International” dhe programit të bursave për Ballkanin Perëndimor. 🏛️🤓
Përveç marrëdhënieve të shkëlqyera dhe historikisht të afërta mes vendeve tona, diskutuam edhe mbi mundësitë për të zgjeruar më tej bashkëpunimin në fushat e ekonomisë, shkencës dhe arsimit. Austria e mbështet qartë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
