“Nuk ka kohë për të eksperimentuar, e rëndësishme ta nisim me këmbën e mbarë”, ky ishte thelbi i deklaratës së Edy Reja përpara sfidës kundër Andorra. Në një format të tillë, dhe në një grup me përfaqësuese si Anglia, Polonia dhe Hungaria, Shqipëria nuk duhet ti diskutojë pikët e plota në ndeshje si kjo kundër Andorra. Çdo përfundim tjetër, përveç fitores në këtë transfertë do ta ndërlikonte jo pak rrugëtimin e Kombëtares në kualifikueset e Botërorit “Katar2022”. Për këtë është i qartë edhe trajneri Edy Reja i cili në këtë sfidë të parë pritet të hedh në fushë lojtarët që njeh më mirë dhe sigurisht tek ata që beson më shumë. Në pjesën më të madhe të aventurës së tij në krye të kuqezinjve, pavarësisht emrave të shumë që janë afruar, në çdo ndeshje ku kërkohej maksimumi dhe kur ka pasur grupin e plotë, Reja ka pasur një modul fiks dhe titullarë fiks, kështu pritet të ndodh edhe në këtë transfertë. Myrto Uzuni ka qenë dilema e vetme, por sipas të gjithë gjasave edhe këtë sfidë sulmuesi beratas nuk pritet ta startojë titullarë.

Në krahë të Reja në konferencë për shtyp me statusin e kapitenit ishte Etrit Berisha, portieri i Spal pritet të jetë titullarë mes kuadratit. Nuk ka asnjë dilemë sa i përket mbrojtjes me tre, Kumbulla në të majtë, Gjimshiti në qendër dhe Ismajli në të djathtë janë të pa prekshëm. Në skemën 3-5-2, në krahë preferohen Hysaj në të djathtë dhe Lenjani në majtë, lojtarë që i japin garanci edhe në pjesën difensivë, një alternative në vend të Lenjanit mund të ishte dhe Uzuni, por jo nga minuta e parë. Përpara mbrojtjes do të vendoset Gjasula ndërsa Bare dhe Memushaj do të kenë më shumë hapësira përpara për të mbështetur dyshen e sulmit. Cikalleshi-Manaj janë të padiskutuar në sytë e Edy Reja, dy lojtarë që kanë qenë gjinjtë titullarë me italianin në stol, kështu pritet të jetë edhe në këtë sfidë të parë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb