Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj i cilësoi të pavërteta të mëdha publike akuzat e opozitës për vjedhjen e 430 milionë nga 3 inceneratorët, e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit.

Gjatë seancës plenare të Kuvendit, Ahmetaj tha se është hedhur shumë baltë.

“E pavërteta më e madhe është shifra 430 milionë euro. Ju u thoni shqiptarëve që këto para do të paguheshin deri në vitin 2052. Nuk dolën as 100 milionë lekë të paguara. E pavërteta e madhe e dytë, kur deklaron se nuk ka impiante. U vizituan impiantet dhe ato janë atje, ndërsa ai i Tiranës do të përfundojë në vitin 2025. U tha që janë grabitur impiantet, ndërkohë sot kontrata është e qartë për publikun, sipas së cilave, Elbasani dhe Fieri janë menjëherë asete publike, ndërsa impianti i Tiranës ndërtohet nga privati dhe i dorëzohet bashkisë së Tiranës”, tha Ahmetaj.

Sipas ministrit, opozitës para 6 marsit (kur zhvillohen zgjedhjet e pjesshme vendore) i interesonte ngritja e këtij komisioni dhe i dha shansin vetes.

Ahmetaj u ndal edhe te akuzuat për procedurën. “E pavërteta e tretë është te procedura. Kemi dëgjuar në parlament se nuk është bërë procedura. Janë mbi 180 shkresa që janë vërtitur me përgjegjësi e përgjegjshmëri në administratë nga të gjithë institucionet”, tha ai. Zv.kryeministri foli edhe për akuzat se ish-ministri Cani u largua nga detyra për arsye se nuk aprovoi kërkesat.

“Në legjitimitet të tij të plotë, Cani e ka kaluar vendimin për inceneratorin e Elbasanit dhe bonusin e Fierit. Vetëm pas 9 muajsh, pasi unë jam emëruar ministër Financash është marrë “ok” në parim ,me të gjithë komentet për risqet financiare, që ka detyrë Ministria e Financave dhe ka bërë një punë të mrekullueshme dhe ka kaluar”, u shpreh ministri. Sipas Ahmetajt, procedura është teknikë buxhetore. “U tha që Fieri financohet nga buxheti i shtetit. Nuk pranonin që të kuptonin teknikën buxhetore midis një transferte dhe një mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore”, tha ai. Sipas tij, ka një të vërtetë të madhe që duhej bërë një komision hetimor pse u lanë pa pastruar qytetet.

“Duhej bërë një komision hetimor pse është lënë Tirana, Fieri dhe Elbasani në ditë e zezë. Sot janë të pastra dhe statistikat siç u referuan edhe në Komision flasin për pastrim të ajrit”, u shpreh ai.
Ahmetaj komentoi edhe deklaratat e opozitës për udhëtimet e tij jashtë vendit. Sipas tij, shteti matet nga letrat. “Shteti matet me letra. Edhe sikur të ishin të vërteta, jemi vend i vogël. Kjo është një akuzë si ajo barsaleta: ke ngritur dolli me kulakun”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: