“Europa duhet të përgatitet për valën e dytë më të madhe të emigrantëve, ndryshe do të përballet me kaos”, kështu është shprehur eksperti për emigracionin Gerald Knaus.
Në një intervistë për mediat e huaja ai tha se lufta në Ukrainë ka shkaktuar një valë të madhe refugjatësh, e cila vetëm brenda dy javëve ka tejkaluar numrin e refugjatëve konflikti i ish-Jugosllavisë në rajon .
Knaus thekson se avantazhi i madh, krahasuar me valën e emigrantëve në 2015, është se hyrja në fuqi e një udhëzuesi nga BE nuk duhet të presë më miratimin e shteteve kombëtare.
Megjithatë, ai thekson se nevojitet veprim i vendosur i shteteve me mbështetjen e qytetarëve.
Knaus thotë se organizimi është i domosdoshëm, sepse nëse nuk arrijnë t’i transferojnë refugjatët në ato zona që kanë shprehur gatishmërinë për t’i pritur, kaos sërish kërcënon.
Ai gjithashtu thotë se në javët e ardhshme, miliona njerëz, kryesisht përmes Austrisë dhe Gjermanisë, do të enden nëpër BE në kërkim të akomodimit, nëse organizata nuk ka sukses.